Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim projektrregulloret në zbatim të ligji të ri “Për Fondet e Pensionit Privat”, që hyri në fuqi në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Sipas projektrregullores, “Për përcaktimin e kërkesave mbi mjaftueshmërinë e kapitalit, formën, llogaritjen dhe shumën e fondeve të veta që duhet të ketë shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat”.
Fondet e veta të shoqërisë administruese të fondeve, në çdo kohë, duhet të jenë të paktën në vlerën 15.8 milionë lekë. Nëse totali i aktiveve nën administrim nga shoqëria administruese, tejkalon shumën prej 31,6 miliardë lekësh, vlera e fondeve të veta të shoqërisë administruese zmadhohet me 0.02% të shtesës së vlerës së aktiveve nën administrim nga shoqëria administruese mbi kufirin e përmendur në këtë pikë deri në maksimumin prej 1,3 miliardë lekësh.
Pavarësisht sa është parashikuar në këtë nen, fondet e veta të shoqërisë administruese nuk duhet të jenë më pak se 1/4 e shpenzimeve fikse të shoqërisë administruese të llogaritura, bazuar në pasqyrat financiare të vitit paraardhës.
Në kuptimin e rregullores, fondet e veta përbëhen nga kapitali i nënshkruar dhe i shlyer, rezervat e kapitalit, rezerva e rivlerësimit dhe rezervat e tjera; fitimet e pashpërndara dhe humbjet e mbartura nga periudhat e mëparshme, fitimi ushtrimor i fundit të vitit dhe fitimi ushtrimor i periudhës raportuese.
Nga këto fonde duhet të zbriten humbjet e vitit aktual që nuk janë përfshirë në të ardhurat e deklaruara apo rezervat e kapitalit, aktivet afatgjata materiale, aktivet jo-materiale, llogari të arkëtueshme tregtare, shpenzime të parapaguara, dhe aktivet që nuk hyjnë në kategorinë e përcaktuar si aktive të vlefshme.
Aktivet që njihen si të vlefshme për llogaritjen e fondeve të veta janë mjete monetare dhe depozita në banka të licencuara në Republikën e Shqipërisë me kushtin që të mos tejkalohet 20% e vlerës së kapitalit në një bankë; tituj borxhi të emetuara ose të garantuara nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ose vendeve anëtare të OECD-së, me vlerësim të kreditit të paktën BBB- sipas Standard and Poor’s ose ekuivalentë të saj nga agjencitë e vlerësimit të kreditit Fitch dhe Moody’s; tituj borxhi të emetuara ose të garantuara nga Banka Qendrore
Evropiane, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore; tituj borxhi të emetuara ose të garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë në monedhën vendase.
Shoqëria administruese e fondeve për efekt të llogaritjes së totalit të aktiveve nën administrim merr në konsideratë totalin e aktiveve nën administrim të fondeve të pensionit privat nën administrimin e shoqërisë administruese të fondeve, totalin e aktiveve nën administrim të secilit prej fondeve të investimeve nën administrimin e shoqërisë administruese të fondeve duke përfshirë aktivet, për të cilat është deleguar funksioni administrues por duke përjashtuar aktivet që ajo administron si rezultat i delegimit nga një shoqëri tjetër; totalin e aktiveve nën administrim të secilës prej shoqërive të investimit, portofoli i të cilave, administrohet nga shoqëria administruese e fondeve.
Incentivat e ligjit të ri
Ligji i ri “Për Fondet e Pensionit Privat” ka sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh.
Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Në rast tërheqjeje të parakohshme të fondit të pensionit (përpara përmbushjes së kushteve ligjore), vlera e tërhequr do të tatohet e gjitha me normën ligjore të tatimit mbi të ardhurat (15%, sipas ligjit aktual).
Ligji sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Fondi i këtij lloji mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit.
Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani, por ndryshimi është se në fondet e mbyllura pjesëmarrja është ligjërisht është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme./ MONITOR
Discussion about this post