Në një kohë që qeveria e Edi Ramës është duke bërë gati që të kalojë në Kuvend amnistinë fiskale, detaje të reja mësohen nga drafti paraprak që do t’iu paraqitet deputetëve. Ndryshe nga sa premtonte Edi Rama në Kuvend, se pasuritë e politikanëve nuk do të amnistohen, drafti i bërë publik së fundi thotë të kundërtën.
Në fakt përjashtimi i politikanëve dhe atyre që kanë qenë subjekt i deklarimit të pasurisë do të ndodhë vetëm për tre vitet e fundit, dhe ata që janë tërhequr nga politika përpara 2017-tës do të mund që të legalizojnë paratë e tyre, që mund të jenë bërë dhe përmes korrupsionit.
”Nuk do të përfitojnë funksionarët e lartë të shtetit, që nga presidenti, kryeministri, ministrat deputetët e deri tek nëpunësit civil, prefektët, drejtor, prokuror, gjyqtar apo edhe drejtues të policisë.Po ashtu përjashtohen subjektet të cilët brenda tre viteve të fundit kanë qenë mbajtës të detyrave apo funksioneve të larta, personat me të shkuar kriminale apo ata që janë akuzuar për financim të terrorizmit”, thuhet në një pjesë të draftit.
Krahas emigrantëve, amnistia synon edhe t’u japë mundësi bizneseve që të fusin në qarkullon shuma fonde, të cilat deri më tani i kanë patur të padeklaruara. Pas deklarimit, shteti shqiptar merr përsipër që të mos cënojë asnjërin prej atyre që kanë treguar për pasuritë e tyre që i kanë patur në të zezë duke theksuar gjithashtu se askush nuk do të pyetet se ku dhe si e ka bërë pasurinë.
Si do të bëhet deklarimi i parave
Procesi për deklarimin e parave nis me plotësimin e një formulari të posaçëm për këtë qëllim, me të cilin më pas do të bëjë depozitimin e parave në banke. Pas plotësimit, formulari verifikohet nga njësia e posaçme që do të ngrihet për këtë qëllim dhe pas verifikimit, bashkë me formularin, qytetari shkon në bankë dhe depoziton paratë. Pas deklarimit të depozitimit të parave në bankë, qytetari do të konsiderohet se i ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore sipas ligjeve në fuqi.
Deklarimi i pasurive të tjera
Projektligji parashikon deklarimin e pasurive të tjera krahas parave, të cilat mund të jenë pasuri të paluajtshme, makina, etj. Deklarimi i tyre do të bëhet sërish përmes plotësimit të një formulari, specifikat e të cilit do të dalin me udhëzim të ministrit të Financave pas miratimit të ligjit.
Madje, nëse pasuritë e deklaruara janë prona, deklaruesi ka prioritet për regjistrimin e tyre në hipotekë.
Tatimi i posaçëm në burim
Në rastet e deklarimit të parave apo pasurive të paluajtshme, deklaruesi paguan: 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit; 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit; 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit. (E.K/Faxweb.al)