I ftuar në intervistën e Fax News, avokati Arbër Hoxha ndau opinionin e tij përsa i përket Amnistisë Penale.
Hoxha u shpreh se amnistia duhet të ishte propozuar për një afat më të afërt, dhe jo deri në nëntor të vitit 2023.
Ai e kritikoi legjislatorin shqiptar, duke u shprehur se për ata, jeta e shqiptarit nuk paska vlerë. Gjithashtu, ai shtoi se të gjithë të burgosurit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të përfitojnë të gjithë, pavarësisht bindjeve politike
-Jonida Omeri: Kush përfiton nga kjo amnisti?
–Arbër Hoxha:
Në radhë të parë përfitojnë të gjithë personat që u kanë mbetur të paktën dhe 3 vite burgim dhe ata që kanë marrë vendim të formës së prerë deri në nëntor të vitit 2023. Nuk e kuptoj pse është vendosur deri në atë datë, ndërkohë që jemi në shkurt 2024. Të paktën ta kishin vendosur deri më 31 janar 2024. Së dyti përfitojnë të gjithë personat e ndaluar, pavarësisht kritereve ndaluese.”
-Jonida Omeri: A duhet të kishte një shtrirje më të gjerë të personave që përfitojnë nga kjo amnisti?
-Arbër Hoxha
Patjetër që po. Termi ‘amnisti’ nënkupton falje të përgjithshme me akt të veçantë. Amnistia duhet të zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe jo me kaq kritere ndaluese dhe me një numër shumë të ulët të viteve. Mesa duket, vlera e shqiptarit nuk vlen për asgjë, të paktën kështu e sheh legjislatori ynë.
-Jonida Omeri: A do të ketë një rishikim më vonë të kësaj amnistie, në këndvështrimin tuaj?
-Arbër Hoxha:
Për amnistinë e vitit 2024, nuk besoj se do të ketë një të tillë, duke parë dhe situatën aktuale politike. Shpresoj që për vitin 2025 të ketë një amnisti më gjithëpërfshirëse, duke qenë se është dhe një vit elektoral.
-Jonida Omeri: Opozita pretendon se mazhoranca kërkon t’u japë një dorë zyrtarëve të lartë të korruptuar. A qëndron kjo tezë?
-Arbër Hoxha:
Nuk mund të përfitojë nga amnistia, sepse do cënonte barazinë e qytetarëve. Propozimi nga PD bie ndesh me nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës, konkretisht barazinë e qytetarëve dhe parimin e proporcionalitetit.
-Jonida Omeri: A ka zyrtarë të lartë që përfitojnë nga kjo amnisti?
-Arbër Hoxha:
Aktualisht nuk ka. Por nëse do ketë një propozim më konkret, edhe mundet.
-Jonida Omeri: Ulsi Manja e ka deklaruar amnistinë si një akt mëshire, ju si e komentoni?
-Arbër Hoxha
Amnistia është një akt i parlamentit që përmban humanizëm, dhe jo mëshirë. Njerëzit nuk janë për t’u mëshiruar. Elementi i dënimit funksionon për t’u rehabilituar dhe jo për të vuajtur. Nga injoranca, disa anëtarë të parlamentit nuk e kuptojnë.
-Jonida Omeri: A mendoni se palët politike duhet të lënë pas përplasjet midis tyre?
-Arbër Hoxha
Patjetër që po. Akti i amnistisë është për të gjithë qytetarët. Akti nuk është vetëm për socialistët apo për demokratët. Qytetarët duhet të trajtohen me dinjitet.