I ftuar në intervistën e FAX News, avokati Kujtim Ibraj foli rreth projekt ligjit për amnistinë penale.
I pyetur nga Albi Rakip se cila kategori e të dënuarve përfiton nga amnistia, Ibraj u përgjigj:
“Amnistia penale ka një vit që diskutohet. Në vetvete, është një çështje ku diskutohet për faljen e veprave të lehta penale, pra jo për ato vepra që marrin një dënim të lartë. Këtu përjashtohen veprat e rënda penale. Mazhoranca kërkon që të përfitojnë dhe zyrtarët që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, madje t’u ulet dhe dënimi. Opozita kërkon që këta individë të mos lirohen”.
Pyetjes nëse amnistia duhet të kishte një shtrirje më të gjerë, zoti Ibraj iu përgjigj:
“Absolutisht. Këtu kemi të bëjmë me një shtrirje shumë të ngushtë, sidomos për të dënuarat gra. Këtu duhet të përfitojnë ata që janë dënuar për vjedhje të lehta, përdorim në sasi të vogla droge, vjedhja e energjisë, ndërtimi i paligjshëm, pra vepra që nuk paraqesin rrezikshmëri.”
Zoti Ibraj tha se në diskutime të tilla, nuk ka ndodhur që një avokat i shquar të mos marrë pjesë.
“Amnistia kundërshtohet sepse kërkohet të lirohen dhe personat e dënuar nga GjKKO. Në qoftë se amnistia votohet për këta persona, atëherë është nul dhe nuk ka lidhje me humanitetin”, shtoi Ibraj.
Rreth komenteve të ministrit Manja se projektligji do të votohet e madje do të marrë mbi 84 vota, Ibraj i cilësoi si komente politike.
“Ai mendon se mund t’i blejë votat. Nuk besoj se mazhoranca do ta realizojë këtë nëpërmjet cic-miceve politike. Amnistia është akt human për personat që kanë kryer vepra të lehta penale, e jo për ata që kanë vjedhur miliona euro. Manja mund t’i bëjë këto deklarata për pjesën tjetër të të dënuarve, e jo për të korruptuarit”, tha Ibraj.
“Turp për të gjithë deputetët që tallen me amnistinë“, u shpreh ai.
Ibraj sugjeroi se palët duhet të shohin se deri në ç’pikë janë vijat e kuqe. Në qoftë se kalon kjo vijë, nuk kemi amnisti. Ai tha se nëse mazhoranca ngulmon te falja e të dënuarve nga GjKKO, ajo do të ketë një faj të madh. Gjithashtu, ai shtoi se nëse opozita nuk i jep votat, ajo do të jetë forca politike reale.
Në fund të intervistës, Ibraj u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta marrin më seriozisht këtë çështje e të mendojnë për të gjithë të dënuarit, të cilët i presin familjet e tyre. Ai tha se deputetët e kanë këtë detyrim, pasi ata janë atje ku janë përmes vortave të shqiptarëve dhe duhet të veprojnë në të mirë të shoqërisë.