Që prej vitit 1978 në Europë dhe vitet e fundit edhe në Shqipëri po përdoret termi analfabetizëm funksional. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që në vendin tonë ky fenomen nuk ka ekzistuar edhe më herët. 5 vjet më parë, Banka Botërore doli me një raport, sipas të cilit, 57% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë.
Gazetari kritik Agim Baçi shpjegon: “Nuk është analfabet që nuk shkruan e nuk lexon, por që nuk di kuptimin e asaj që shkruan apo që lexon. Ne e kemi trashëgimi këtë analfabetizmin funksional për shkak se vijmë nga diktatura, ku njerëzit nuk mendonin, por vetëm tundnin kokën. Kjo është pasqyruar më vonë”. Studimi u bazua tek eseja, pra dhënia e mendimit individual për një çështje të caktuar. “Shumica e pedagogëve ankohen për studentë që të kenë mendimin e tyre, thjesht riprodhojnë fjalët”, shton Baçi.
Por, si funksionon një analfabet funksional? “Nuk kupton atë që i kërkohet, nuk ka aftësinë për të transmetuar siç duhet një problematikë dhe kjo sjell një zinxhir moskuptimesh. Një analfabet funksional nuk është vetëm i keqi i vetes, por edhe i të tjerëve që e rrethojnë”, shpjegon Agim Baçi.
Ku hasen sot analfabetët funksionalë, deri në ç’rangje të shoqërisë dhe jetës publike?
Baçi përgjigjet kështu: “Po të ishte bërë në moshë më të madhe studimi, gjendja do të ishte më e rëndë. Nuk është rastësi që studimi u krye me nxënës të moshës 15 vjeç, pasi është mosha kur formohet karakteri. Unë mendoj se duhen kthyer sytë tek arsimi dhe formimi individual dhe i njerëzve që dinë të mendojnë vetë”./TopChannel