Analisti Afrim Krasniqi ka shpjeguar sipas tij se përse biznesmenë apo njerëz të tjerë të fuqishëm në fushat e tyre, i hyjnë politikës dhe futen në Parlament edhe pse nuk flasin asnjëherë aty. Krasniqi tha në “Opinion” se arsyeja kryesore lidhet me imunitetin, pasi sa më larg Tiranës aq më të fuqishëm janë deputetët.
“Shumica e tyre thonë nuk jemi politikanë, por deputetë. Ata e mendojnë si një gjë të caktuar për të ardhur në Tiranë, për të folur, për të ngritur kartonin. Nëse je biznesmen në palën fituese, je i mbrojtur, nëse je në opozitë, sulmohesh dhe kjo është risk.
Por ata kandidojnë për imunitet, tërë ditën qytetarët ankohen për politikanët, por ata vdesin për politikanët. A e dini se deputetët nuk paguajnë asnjëherë tavolinat, sepse ua paguajnë qytetarët e bëjnë edhe foto? Të jesh deputet në zonat e thella të Shqipërisë, atje je Perandor, jo deputet.
Sa më larg Tiranës, aq më i fortë është ndikimi i deputetit. Shqiptarët kanë qenë populli më i pakënaqur me liderët politikë dhe nuk ka popull që i do më shumë liderët politikë. Njerëzit që me të vërtetë mund të kenë vokacion politik, bëjnë diçka shkojnë deri në 25-30, pra një e pesta e Parlamentit”, tha Afrim Krasniqi.
(E.K/FAXWEB.AL)