Asgjë nuk po shkon vaj për Partinë Socialiste në Kavajë. Nuk i mjaftuan telashet që iu hapën me Elvis Rroshin, pasi ua kapi ligji i Dekriminalizimit, por kur menduan se po shkonin drejt një kandidature zëvendësuese me shumë gjasë për të fituar, duket se LSI-ja u doli jashtë parashikimeve.
Sot, dinamikë qartësisht e shprehur nga ish-ministri i Ramës, Saimir Tahiri dhe kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Luan Rama.
”Nuk po na mbështesin”, qe pak a shumë mesazhi i përmbledhur këtë të enjte në mëngjes i Tahirit, duke nxjerrë edhe disa të palara, ashtu si padashur, për problemet në qeverisje edhe në sektorët që drejtohen nga ”kolegët e LSI”-së.
E qartë si drita e diellit që disavantazhin socialistët duan me çdo kush ta kthejnë në avantazh. Situata për ta nuk është e mirë në Kavajë, por po bëjnë atë që bën i mbyturi, duke dashur të marrin me vete edhe LSI-në.
”LSI-ja po bën opozitë brenda qeverisë”, tha Tahiri dhe nuk ka mënyrë më të mirë se ta shesësh si gjë të keqe atë për të cilën po dallohet dhe vlerësohet për mirë LSI-ja publikisht, për kriticizmin ndaj qeverisjes dhe distancimin që ka nisur të mbajë, duke mbajtur edhe përgjegjësinë e gabimeve në disa raste.
Sot kundërpërgjigja e Luan Ramës se LSI-ja nuk u pyet dhe vendimi për Kavajën qe i njëanshëm, e cënon bashkëpunimin fiks në pikën që socialistëve u dhemb më shumë, te ajo që ”vendimet i marrin zakonisht vetëm”.
Si të mos u mjaftonte ”lufta” me LSI-në, socialistët janë munduar të ”amortizojnë” edhe zërat në bazë. Baza socialiste e Kavajës i ka shkruar Ramës se nuk është dakord me kandidaturën e bashkëshortes së Gentian Dajës, Silvana Daja dhe se kërkonin kandidimin e Elton Derjajt, por zërat u mbytën shpejt dhe çdo gjë ka rënë në qetësi.
Veç LSI-së dhe bazës, tani që në zgjedhje nuk merr pjesë as opozita, nuk dihet se çfarë do ndodhë me një nga bashkitë më të rëndësishme në Shqipëri.
Por nga ana tjetër ajo që nuk po kuptohet qartë është nëse Kavaja vërtet është një ”mollë sherri” mes PS-së dhe LSI-së për vota më shumë në fitimin e bashkisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme, apo po tenton të kthehet në një pretekst për çfarë mund të ndodhë në orët e fundit para se 1 prilli të trokasë./SHUPLAKA