Tirana dhe Elbasani kryesojnë listën e qyteteve më të ndotur të Shqipërisë. Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë sektori i ndërtimit, automjetet e vjetëruara dhe industria e rëndë.
Vullnetarë të projektit “Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona” në Shqipëri janë që prej vitit 2017 në terren për të monitoruar cilësinë e ajrit në Tiranë, ku është edhe përqëndrimi më i madh i banorëve, i ndërtesave dhe i automjeteve. Tri vitet e fundit ata kanë monitoruar në mënyrë të pandërprerë cilësinë e ajrit në Tiranë, duke u shtrirë më pas edhe në qytetet e Elbasanit, Durrësit, dhe Shkodrës nëpërmjet 1.200 pikave të ndryshme monitorimi.
Rodion Gjoka, ekspert mjedisi dhe pjesëtar i projektit të financuar nga BE që në zanafillën e tij, thotë se tashmë e gjithë Tirana është e ndotur. “Çdo kryqëzim i madh brenda dy apo tre unazave kryesore të Tiranës është një ‘hotspot’ për sa i takon gjenerimit të ndotjes që vjen nga automjetet. Zona më pak të ndotura në qytet janë zonat ku kanë zgjedhur të jetojnë pushtetarët, pra ‘Rolling Hill’s dhe fshatrat që ndodhen në periferi të Tiranës. Gjithë pjesa tjetër që jeton në Tiranë, dhe nga vetë fakti i karakteristikave topografike që ka Tirana, e cila ndodhet në një fushë grope, bën që ndotja të akumulohet dhe të qëndrojë për një periudhë të zgjatur”.
Ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së
Në gjetjet e bëra këto vite në Tiranë, Rodioni dhe ekipi i tij listojnë si problematike dioksidin e azotit (NO2) që emetohet nga djegia e karburanteve dhe PM2.5, grimcë e ngurtë me diametër 2.5 mikronë që gjenerohet kryesisht nga sektori i ndërtimit dhe djegia e karburantit, që janë ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së.
“Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë burimet difuze që përgjithësisht vijnë nga marmitat e makinave që lëvizin nëpër Tiranë. Në Tiranë lëvizin mbi 200.000 makina në ditë, pjesa më e madhe e të cilave, dhe pse ky raport ka ndryshuar vitet e fundit, janë motorë të cilët janë të vjetëruar, pra janë Euro3, Euro4, ka dhe Euro 5, Euro6 por shumica janë motorë të vjetëruar të cilët nuk bëjnë djegien deri në fund të karburanteve. Pastaj është edhe cilësia e karburanteve. Pavarësisht sa i mirë mund të jetë motori, nëse cilësia e karburantit është e keqe, patjetër që shumë nga radikalet apo nga pjesëzat parciale të molekulës së karburantit do të çlirohen si ndotës në gaz, dhe këtu janë të gjithë dioksidet e azotit, të squfurit, plumbi dhe të gjithë metalet e tjera të rënda të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Kjo është një anë, dhe ana tjetër që në një mënyrë apo në një tjetër është difuze është edhe ky boom-i i madh i ndërtimeve në Tiranë, i cili ndikon tek pjesëzat ose grimcat e ngurta që qëndrojnë pezull në ajër, që janë PM2.5 dhe PM10.
Këto janë përgjithësisht materiale inerte, pluhurat, rërërat, çdo gjë që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit i cili tashmë është difuz për fat të keq sepse nuk kemi një zonë të caktuar ku ndërtohet në Tiranë por ndërtohet gjithandej” – thotë Olsi Nika, ekspert mjedisi nga shoqata Eco Albania.
PM2.5, grimca që të gjithë e shmangin
Elementët ndotës që maten nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit janë PM2.5, PM10, grimca me diametër 10 mikronë që shkaktohet nga industria e ndërtimit, depot e plehërave, djegia e mbeturinave, dioksidi i squfurit, (SO2), i cili emetohet nga djegia e karburanteve fosile dhe shkrirja e mineraleve, dioksidi i azotit, monoksidi i karbonit (C0) që emetohet nga djegia jo e plotë e karburanteve dhe benzeni, që emetohet nga djegia e qymyrit dhe naftës si dhe motorët e vjetëruar të makinave.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni kryesor për monitorimin e mjedisit dhe të cilësisë së ajrit, i pranon vlerat e larta të ndotjes në Tiranë, por e shmang përmendjen e grimcës PM2.5, më të rrezikshmes që gjendet në ajër, sipas ekspertëve. Udhëzimet e OBSH-së thonë se përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub (µg/m 3), por që në realitetin e Tiranës, shpeshherë kalojnë edhe 10-fishin e normës së lejuar.
“Rezulton që në Tiranë jemi mbi normat e Bashkimit Europian për PM10 dhe për NO2, që është dioksidi i azotit. Janë të dy parametra që si burim kryesor të ndotjes kanë ndërtimet edhe trafikun rrugor, ndërsa në Elbasan kemi vetëm tejkalim të PM10. PM10 është diku në vlerën 10% mbi normën e Bashkimit Europian. Përsa i përket dioksidit të azotit është në vlera të larta por është brenda normës së lejuar. E shohim që kemi prani të NO2 në matjet tona por është brenda normës së lejuar”, thotë Vanela Gjeci, Shefe sektori në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Elbasan: Problematik niveli i plumbit dhe i metaleve të tjerë të rëndë
Nikolla Civici ka drejtuar për shumë vite Insitutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 2014-2018, ky institucion ka monitoruar rregullisht cilësinë e ajrit në të gjithë Shqipërinë. “Parametrat që ne analizonim ishin PM10, PM2.5, niveli i plumbit dhe metaleve të tjerë të rëndë. Përgjithësisht situata gjatë këtyre viteve ka qenë problematike me plumbin në Elbasan. Kryesisht ishin emetimet e Uzinës Metalurgjike atje, që kur frynin erërat në një drejtim të caktuar, e çonin gjithë tymin në qytetin e Elbasanit. Ndërsa për Tiranën, problematik ka qenë PM2.5. PM2.5 pothuajse gjithmonë, në pjesën më të madhe të ditëve të vitit, ka qenë mbi nivelet e lejuara.
Grimcat e PM10-ës kryesisht janë grimca të mëdha të cilat frenohen në pjesën e sipërme të frymëmarrjes dhe nuk kanë ndonjë rrezikshmëri aq të lartë saç janë grimcat me dimension 2.5 sepse ato depërtojnë në mushkëri kështu që janë të më të rrezikshmet. Zakonisht për këto vendosen limite të rrepta të cilat ekzistojnë edhe në legjislacionin tonë. Ulja e tyre është shumë e vështirë qoftë nga emetuesit, qoftë nga burime të tjera nga të cilat ato vijnë” – thotë Prof.Dr. Civici.
Sistem ekonomik i ndërtuar mbi ndotjen
Për Ervin Gocin, pedagog dhe një ndër zërat më të fortë të shoqërisë civile, sidomos kundër betonizimit të Tiranës, autoriteteve nuk u leverdis të pranojnë shifrat përtej çdo norme. “Po të pranosh realitetin do t’u thuash njerëzve: Ju kërcënoheni nga vdekja. Dhe kjo është jo vetëm një përgjegjësi e institucioneve që me plot gojën e quaj kriminale, sepse të luash me shëndetin e qytetarëve është kriminale dhe jam 1000% i sigurt se ata e dinë këtë gjë. Problemi më i madh nuk është se Tirana është e ndotur tani. Problemi më i madh për mua është që këtu është vendosur një sistem ekonomik i cili është i ndërtuar mbi ndotjen. Ne po e paguajmë me mushkëritë tona. Pse? Sepse që në momentin që ti thua që unë 60% të taksave të qytetit do t’i nxjerr nga ndërtimi u thua qytetarëve që “përgatituni, bëhuni gati ,sepse këtu do të derdhen mijëra kub beton”. Dhe mijëra kub beton ne e dimë shumë që është ndotje”.
Në Zvicër, Kompania IQAir, një ndër më seriozet në botë për matjen e cilësisë së ajrit, monitoron situatën në mbi 140 shtete të botës. Drejtuesi i saj, Frank Hammes, thotë se nga gjashtë ndotësit kryesorë që masin qeveritë, PM2.5 është ai më i rrezikshmi, i cili gjendet dhe në Ballkan. “Të dhënat që kemi nga Shqipëria për momentin janë të dhëna satelitore dhe këto të dhëna nuk janë të besueshme përsa i përket kohës dhe saktësisë, krahasuar me të dhënat që merren nga stacionet. Në mënyrë që ne të kuptojmë se çfarë po ndodh na nevojiten të dhëna nga stacionet, por fatkeqësisht për momentin nuk i kemi në këto qytete, Tiranë dhe Elbasan. Ne nuk i përfshijmë të dhënat satelitore. I japim në kohë reale si të dhëna por nuk i përfshijmë në raportin vjetor për cilësinë e ajrit, sepse nuk janë të besueshme.”