Askush nuk i konfirmon fjalët në qarkullim: Shqipëria mund të bëhet një vend kyç për pritjen e përkohshme të refugjatëve në Europë, por jo në BE. Një zgjidhje e artë kjo për Merkelin dhe për BE-në.
Eshtë vetëm një tezë, asgjë më shumë: Shqipëria si vend për strehimin e përkohshëm të refugjatëve. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kancelari i Austrisë Sebastian Kurz e kanë hedhur të parët idenë, që të krijohen qendra për azilkërkuesit në Europë, por jashtë BE-së. Zëdhënësi qeveritar në Vjenë Peter Launsky-Tieffenthal konfirmoi për DW-në, se ndërkohë ka bisedime për krijimin e një qendre të tillë ndër të tjera edhe me Shqipërinë. Kurse Endri Fuga, drejtor për Marrëdhëniet me Publikun dhe këshilltar i Kryeministrit të Shqipërisë, përmes e-mailit i tha DW-së, se nuk ka as kërkesë dhe as diskutime për këtë temë. Opozita në Shqipëri e interpreton ndryshe. Ajo e akuzon qeverinë, se do të arrijë përshpejtimin e antarësimit në BE në këmbim të qendrave për refugjatët. Dhe ja se si mund të ndodhte:
Situata aktuale
Në itinerarin ballkanik vazhdon të ketë lëvizje përmes rrugëve tokësore. Refugjatët vijnë kryesisht përmes Detit Mesdhe, por ndërkohë Italia, Malta apo Greqia nuk janë më të gatshme t’i pranojnë njerëzit në masë. Ndërsa vendet e BE-së, e ndër to Gjermania, duan që t’i kthejnë azilkërkuesit e refuzuar. Ç’lidhje ka kjo me Shqipërinë?
Pse Shqipëria?
Vendi i vogël ballkanik ndodhet përgjatë itinerarit të refugjatëve dhe po ashtu edhe në Mesdhe, prej nga kalon pjesa më e madhe e refugjatëve, që zbarkojnë me anije. Porti i Durrësit ka kapacitete të mjaftueshme për zbarkimin e kontigjenteve të mëdha të refugjatëve. Nga anijet që eskortohen prej Frontex-it refugjatët mund të vendosen në tokën shqiptare për t’u regjistruar. Paskëtaj ata që nuk konfirmohen se kanë vërtetë arsye për azil mund t’i kthejnë direkt në vendet nga kanë ardhur. Ndërsa ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe potencialisht kanë të drejtë azili mund të shpërndahen në vendet e BE-së.
Ajo që është atraktive për vendet e BE-së: Shqipëria nuk bën pjesë në BE. Atje nuk janë në fuqi rregulloret e BE-së si Marrëveshja e Shengenit apo Marrëveshja e Dublinit. Shqipëria është megjithatë një vend anëtar në NATO e kësisoj e ankoruar në aleancën e sigurisë së shteteve perëndimore. Përveç kësaj në Shqipëri po ndërtohet aktualisht një Qendër Antiterror e NATO-s. Kësaj i shtohet edhe pozita e favorshme gjeografike, që veriu i Shqipërisë është i rrethuar prej maleve të larta, ç’ka krijon një siguri natyrore të kurifit.
A është Shqipëria e përgatitur?
Shqipëria ka përvojë të madhe me strehimin dhe trajtimin e refugjatëve. Në vitet 1999/1998 vendi strehoi gati një milionë kosovarë.
Dhe si rrjedhojë e krizës së refugjatëve në vitin 2015 në Shqipëri u krijuan kapacitete të konsiderueshme për pranimin e migrantëve. Këto kapacitete praktikisht kanë qenë deri sot të pashfrytëzuara. Në mediet e Shqipërisë bëhet fjalë për kapacitete në një shifër prej disa mijëra.
Zëdhënësi i UNHCR-së për Evropën Juglindore, Neven Crvenkovic, tha për DW-në se prej vitit 2017 Shqipëria i ka dyfishuar kapacitet ekzistuese. Ndërkohë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ka pasur këto ditë bisedime me homologë të tij në kryeqytetet e Evropës. Të enjten ai ishte në Berlin dhe një nga temat e bisedimeve ishte edhe migrimi.
Pse do t’i shkonte kjo për shtat Evropës?
Ndryshe nga Libia, Shqipëria është një vend i sigurt në Evropë dhe pranë portave të BE-së. Përveç kësaj, Shqipëria kërkon të bëhet anëtare e BE-së dhe prandaj është e gatshme që të respektojë standardet e BE-së, si ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. UNHCR-ja konfirmon se Shqipëria i trajton mirë refugjatët në vend.
Të gjitha këto pika që Libia, e cila është po ashtu në diskutim, nuk i plotëson. Dhe mbi të gjitha BE-ja nuk mund të veprojë aty si fuqi rregullatore, sepse Libia është një shtet pa strukturë dhe udhëheqje.
Ç’përfitim do të kishte Angela Merkeli prej kësaj?
Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer tha në takimin e tij të fundit me kancelarin austriak se ai mbështet idenë e qendrave të migrimit jashtë BE-së. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, nga ana tjetër, nuk donte ta komentonte të mërkurën këtë gjë për shkak të samitit të posaçëm të BE i parashikuar për të djelën në Bruksel.
Një marrëveshje e mundshme me Shqipërinë do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme edhe për çtensionimin e mospajtimeve të brendshme gjermane: Shqipëria do të ofronte zgjidhjen “humane”. Dhe kërkesat e sigurisë të Seehofer-it: procedura të kontrolluara nën mbikëqyrjen e BE-së, por jashtë BE-së, do të bëheshin të mundshme. Horst Seehofer mund të jetë i kënaqur dhe ta shesë këtë si një sukses për fushatën zgjedhore bavareze. Kriza qeveritare pra faktikisht do të përfundonte.
“Zgjidhja shqiptare” mund të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë: qeveria socialiste në Tiranë është nën presion nga qarqet konservatore, veçanërisht CDU-ja. Rekomandimi për samitin e BE-së për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë është vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve lidhur me sundimin e ligjit. Shqipëria mund të kërkojë si këmbim për marrëveshjen e refugjatëve dritë të gjelbër për bisedimet. Vendet e BE-së do t’ia shpërblenin me mirënjohje Shqipërisë një zgjidhje të tillë për krizën e migracionit.
Një zgjidhje e artë krejtësisht sipas proverbit ballkanik “mishi të piqet, helli të mos digjet”. Sepse me një zgjidhje shqiptare mund të mbeteshin të gjithë të kënaqur: BE-ja, Shqipëria, Angela Merkel dhe Horst Seehofer./DW