Nga Artan Gjyzel Hasani
Pak ditë më parë shkrimtari Agron Tufa bëri thirrje për bojkot të një aktiviteti (të sponzorizuar nga Ministria e Kulturës) të gazetareve B. Njuma dhe A. Bardhyli ku ishte e ftuar shkrimtarja Diana Çuli dhe vetë A. Tufa.
Motivi i këtij sulmi ishte fakti që Diana Çuli, me ekspertizën e saj, shtroi udhën e pushkatimit të dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Tufa ftoi publikisht miq e dashamirës të poetëve të vrarë të recitojnë poezitë e tyre pikërisht në emisionin ku e ftuar do ishte vrasësja e tyre, siç e quajti vetë Tufa Çulin. Dhe ashtu ndodhi. Çuli u zbyth (tamam fjala e duhur!), dhe aty u recituan poezitë e dy poetëve të vrarë.
Kaq mjaftoi që të ndizej debati dhe replikat nga gazetaret Njuma dhe më pas Bardhyli, duke mbajtur dukshëm anën e D.Çulit.
Unë, edhe pse e pershendes totalisht aktin e A.Tufes, mendoj se në fakt kemi të bëjmë me një luftë brenda llojit, dhe jo lufte mes shkrimtarësh dhe gazetarësh.
Brenda cilit lloj? Brenda klientëve të Bankës së Favoreve – banka me e fuqishme në Shqipëri.
Të gjithë të përfshirët në debat, të lartpërmëndurit pra, dhe të tjerë që në ditët në vazhdim do rreshtohen ne llogoret përkatëse, janë klientë të Bankës shqiptare të Favoreve, janë pjesë e të njëjtës Klikë dhe Sekt që ka uzurpuar letrat shqipe, janë pjesë e të njëjtit star system që e kanë ngritur dhe e ushqejnë po vetë çdo ditë.
Ajo që bëri Tufa, në këndvështrimin tim, ishte gjëja e duhur, edhe pse shumë vonë. Shkrimtarë të ndryshëm shumë vite para Tufës e kanë ngritur këtë çështje publikisht, por nuk kanë arritur të prekin sadopak sensibilitetet e gazetarëve te ndjeshem të kulturës. Natyrisht, nëse nuk je klient i Bankës së Favoreve nuk ta vë njeri në pullë.
Sulmin nuk e ka bërë shkrimtari Agron Tufa, por zyrtari Agron Tufa. Sulmi nuk është bërë kundër shkrimtares Diana Çuli, por kundër institucionit piramidal Diana Çuli.
Replikat nuk u bënë nga gazetarët e kulturës Beti Njuma dhe Alda Bardhyli, por nga dy kliente të Bankës së lartpërmendur të Favoreve.
Diana Çuli është prej kohësh Nexhmije Hoxha e letrave shqipe. E kudondodhur, në borde e juri të pafundme, ish deputete dhe drejtuese, gjithnjë në epiqendër të çdo lloj zhvillimi kultural shqiptar, me hapësira të pafundme në mediat e shkruara dhe audiovizive.
Agron Tufa, dikur i rebeluar publikisht kundër Bankës së Favoreve, sot është i kompromentuar vetë me këtë bankë.
Nëse ishte ndjerë i fyer nga prania e Çulit, pse vallë priti të bëhej drejtor i Institutit të Krimeve të Komunizmit që të fitonte ndjeshmërinë e duhur për këtë akt civil (dhe shumë të drejtë sipas meje!)? Madje do e kishte bërë ndër të parët, nëse do konsiderojmë edhe background-in e tij familjar. Ka pasur dhe ka prej shumë vitesh aksesin total mediatik dhe publik, ne shtyp dhe auditore, të reagonte si intelektual, si shkrimtar dhe jo si zyrtar. Tufa mund të këtë marrë çmime nga dora e Çulit, mund të ketë dhënë çmime bashkë me Çulin, mund të ketë qenë pjestar në borde të njëjta. Një ndjeshmëri e vonë për një shkrimtar prominent dhe intelektual.
B.Njuma dhe A.Bardhyli kanë pasur tërë kohën e mundshme për t’i kushtuar ndonjë emision special dy poetëve të vrarë. Sikur vetëm poezisë Saharaja që ka vlerë më shumë se çdo libër i Çulit.
Ndërsa merreshin me qoka, me selfie kryeministrore dhe rritjen e aksioneve personale mund të kishin nderuar veten dhe kujtimin e dy poetëve të vrarë në destinin e të cilëve ndikoi padyshim ekspertiza dhe firma e mikes dhe mentores së tyre Çuli.
Në faqet e kulturës të medias së tyre është promovuar 7 herë (!) “romancieri” i famshëm Fate Velaj që shumë pafajësisht ka rastisur të jetë edhe këshilltar kulturor i kryeministrit, por kurrë dy poetet e vrarë në lule të krijimtarisë dhe moshës!
Vetë Diana Çulin nuk e gjykoj kurrë për atë që bëri nën diktaturë. Ka rrethana lehtësuese, nëse mendojmë epokën kur ndodhi, moshën e re te saj dhe trysnine. Të njëjtën gjë do kishin bërë mbase edhe akuzuesit e saj.
Por kam të drejtë ta gjykoj moralisht për atë që nuk bëri në demokraci. Plot 26 vjet postkomunizëm. Një ndjesë reale, një mea culpa reale dhe jo lojëra fjalësh brenda një fjalie të nëpërdhëmbur. Mund të kish shkruar edhe një roman për ata dy poetë qyqarë, viktima indirekte te saj, nëse do kish pasur ndjenjë faji. Por ndjenjë faji Çuli nuk ka dhe prandaj, edhe pse vonë, reagimi i Tufës është moralisht mëse i përligjur.
Është një rast flagrant ku klientët e Bankës së Favoreve do ndjehen keq, cilin krah të mbajnë. Me Çulin apo me Tufën – kjo është çështja. Nuk i plas askujt prej tyre për poetët e pushkatuar. Përndryshe Beti Njuma do e kishte bërë dokumentarin për ta zbardhur këtë të vërtetë siç pretendon, jo sot, por shumë kohë më parë dhe jo nën motivime meskine interesash.
Aksionet e Çulit janë shumë të larta në Bankën Shqiptare të Favoreve. Edhe te Tufes po ashtu. Le të shohim si do pozicionohen në ditët në vazhdim edhe klientë të tjerë te shquar te Bankes të Favoreve, si Edmond Tupja, Dhurata Shehri, Mark Marku, Arta Marku, Preç Zogaj, Henri Çili, Artur Zheji, (Gilman je me fat që ke nderruar jetë pa ia arritur kësaj dite!), tufa e analistëve me Fevzinj e Blushër e kompania e tyre prej kllounësh.
Të më falni ju klientët e tjerë të Bankës së Favoreve që nuk ua kam përmendur emrat, por jeni aq shumë sa është e pamundur.
Jeni një tufë hipokritësh dhe oportunistësh arrivistë.
Një gjë është e sigurtë: Gjekmarkaj dhe ca të tjerë do rreshtohen pa hezitim në krah të Tufës, ndërsa Agim Baçi për arsye të kuptueshme, jo vetëm spirituale, do preferojë heshtjen. Si shumica e klientëve të Bankës së Favoreve. Nuk po përmënd këtu një aradhe gazetarësh rioshë të kulturës që si klientë minorë të kësaj banke do të qepin sqepin, meqë në Shqipëri kurrë nuk i dihet nga të vjen e keqja, dhe e mira po ashtu.
Dhe në mbyllje të këtyre shënimeve skiç, kacafytja Tufa-Çuli -Njuma & co është ajo e çara, që përmend Leonard Cohen, nga e cila drita depërton në gjirizin e kulturës, të sekteve dhe klikave letrare dhe gazetareske shqipe.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, e keqja në Shqipëri nuk është as e majtë e as e djathtë, por vjen nga Banka Shqiptare e Favoreve.
Ajo që vendos për fatin e të gjallëve dhe të të vdekurve.