Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Frashër, ku Anesti Rama, një burrë në moshë i njohur për jetën e tij të thjeshtë dhe të përkushtuar ndaj punës, dyshohet se është vrarë nga bashkëshortja dhe vajza e tij.
Fillimisht, lajmi u përhap si një vdekje natyrale nga infarkti, por më vonë dyshimet për një krim të rëndë u konfirmuan. Kryeplaku i fshatit, Irakli Zarka, i tronditur tregon se e mësoi ngjarjen në mënyrë të papritur, pasi i ishte thënë se Anesti kishte ndërruar jetë nga një atak në zemër. Më pas, sipas tij, doli në dritë e vërteta tronditëse.
Sipas rrëfimit të kryeplakut Zarka, Anesti Rama kishte një jetë tepër të vështirë, duke punuar që i ri si bari, më pas si punëtor krahu në Greqi, e në fund si punonjës në një fermë blegtorale në zonë. Ai jetonte në varfëri të skajshme, duke marrë vetëm 3 mijë lekë ndihmë ekonomike në muaj, dhe trajtohej keq në familje. “E linin pa ngrënë, e donin jashtë shtëpisë, dhe nuk punonin. Jetonin me ëndrra, por shikonin telenovela gjithë ditën,” thotë Zarka.
Ai tregon gjithashtu se kur Anesti guxoi të ankohej për sjelljen e bashkëshortes Valbona dhe vajzës Emalinda, ato e goditën përpara syve të tij. “Nuk jam i habitur nga ajo që ndodhi – nga ato të dyja çdo gjë pritej,” përfundon kryeplaku.
Ndërkohë, Anesti Rama është përcjellë sot për në banesën e fundit. Vajza tjetër e tij, e ardhur nga Italia, mes dhimbjes deklaroi jashtë kamerave: “Kjo derë u mbyll përgjithmonë.”
Ngjarja po hetohet nga autoritetet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e krimit.