Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian shprehu vlerësimin pozitiv për punën madhore që Shqipëria ka bërë për nisjen e procesit të reformës në drejtësi dhe përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për nisjen e biseimeve për anëtarësim, megjithatë Brukseli nuk shprehet për hapjen e negociatave të anëtarësimit gjatë këtij muaji.
Rekomandimi i Komisionit “mbahet shënim pozitivisht”, çka lë vend për rishqyrtim të progresit të Shqipërisë gjatë pjesës së dytë të vitit të ardhshëm, për të parë nëse do të hasen trazira gjatë fushatës elektorale dhe nëse zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë të ndershme.
“Përfundimet mbi Shqipërinë janë mbyllur pas diskutimeve në nivel të përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe përmblidhen në 9 paragrafet, nga 47 në 55, e konkluzioneve të Këshillit të BE-së. Mbyllja e qëndrimeve mbi Shqipërinë në nivel të diplomatëve europian shmang diskutimet për të në tryezën e Ministristrave.”, shprehet gazetarja Arta Tozaj, raporton “Dritare.net”.
E nëse u referohemi burimeve diplomatike, motorri franko-gjerman nuk jep siguri për një vendim të mundshëm gjatë vitit të ardhshëm, kjo për shkak të “numrit të lartë të kërkesave të pabaza për azil nga qytetarët shqipëtarë në BE” dhe “vazhdimin rigoroz të zbatimit të kritereve të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave”. Nga ana tjetër, Irlanda dhe Hungaria mbështesin rekomandimin e KE-së dhe shprehen për nisjen e negociatave në rast se bëhet mjaftueshëm për reformën në drejtësi.
E nëse për Suedinë, “çështja e negociatave duhet diskutuar pas zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në mes të vitit të ardhshëm”, Austria dhe Italia kanë vlerësuar punën e dallueshme të autoriteteve shqipëtare për reformat kyçe”.
Konkluzionet e BE-së për Shqipërinë
- Këshilli mirëpret hapat madhor të ndërmarra nga Shqipëria përmes votimit unanim të ndryshimeve kyçe kushtetuese, në Korrik 2016, duke nisur një proces për reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë. Këshilli mban pozitivisht shënim progresin e qëndrueshëm drejt përmbushjes së 5 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe inkurajon Shqipërinë për të vazhduar punën dhe për të konsoliduar arritjet.
- Këshilli mban në mënyrë pozitive shënim rekomandimin e Komisionit për Hapjen e negociatave me Shqipërinë, subjekt i progresit të prekshëm e të besueshëm tek zbatimi i reformës në Drejtësi , në veçanti për rivlerësimin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve . Duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të Dhjetorit 2015, Këshilli thekson se një zbatim i plotë, gjithëpërfshirës e i qëndrueshëm për të 5 prioritetet kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave. Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë, në shtesë të paketës së zgjerimit, dhe do t’i kthehet Shqipërisë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm.
- Këshilli inkurajon Shqipërinë për të vazhduar reformën e plotë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë, me synimin e rritjes së profesionalizmit, pavarësisë dhe efiçensës në sistemin gjyqësor, përfshirë sistëmin e gjykatave , përfshirë përmes kryerjes së rivlerësimit të të gjithë anëtarëve të gjyqësorit. Reforma e drejtësisë mbetet kyçe për sundimin e ligjit dhe mund të jetë transformuese edhe për fushat e tjera. Këshilli mirëpret se një tendencë pozitive mund të vërehet drejt krijimit të gjurmëve të provave solide për hetime proaktive, ndjekjes e dënimeve përfundimtare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ë organizuar dhe thekson rëndësinë për Shqipërinë për të arritur rezultate të prekshme e të qëndrueshme.
- Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në këto fusha dhe të sigurojë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit arrihen edhe në nivel të lartë, sikundër duhen siguruar në mënyrë progresive edhe rezultate më efektive për shkatërrimin e rrjeteve të organizatave kriminale, si dhe trajtimin e prodhimit dhe trafikut te drogës. Niveli shumë i ulët i dënimeve për shkelje të krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të njerëzve, mbeten çështje për t’u trajtuar me masa të synuara, përfshirë forcimin e bashkëpunimit polici-prokurori dhe hetimet e duhura financiara. Këshilli vëren progres në luftën ndaj radikalizimit, ekstremizmit e terrorizmit dhe inkurajon për vazhdimin e përpjekjeve. Për të mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni ftohet të intensifikojë angazhimin teknik me Shqipërinë në fushën e sundimit të ligjit.
- Këshilli përsërit nevojën për masa politike dhe ligjore efektive për të riforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha minoriteteve dhe qasjen ndaj të drejtave për njerëzit e tyre kudo nëpër Shqipëri, sikundër dhe për zbatimin me efiçensë të të drejtës së pronës. Në këtë kuadër, Këshilli i bën thirrje Shqipërisë për të trajtuar boshllëqet përkatëse ligjore.
- Këshilli lavdëron miratimin me unanimitet të ligjit “për garantimin e legjitimitetit të personave të zgjedhur, të emëruar, apo në ushtrim të funksioneve publike” dhe ndryshimet e lidhura kushtetuese. Zbatimi i këtij kuadri, që mundëson për përjashtimin e shkelsve penal nga zyrat publike, është kyç për forcimin e besimit të qytetarëve tek përfaqësuesit politik dhe institucionet publike.
- Këshilli përsërit se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat me synimin për të rritur konkurrencën dhe për të trajtuar ekonominë informale dhe inkurajon Shqipërinë për të përmirësuar më tej klimën për biznesin e investimet dhe të vazhdojë rigorozisht konsolidimin fiskal.
- Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm e konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE, mbetet thelbësor për avancimin me agjendën e reformave për të mirën e qytetarëve dhe për afrimin e vendit në BE. Kjo do të jetë me rëndësi të veçantë edhe për finalizimin e reformës elektorale, duke trajtuar rekomandimet e njohura të OSBE-ODIHR, mjaft përpara raundit të ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare, për të garantuar mbajtjen e tyre në përputhje me standartet përkatëse ndërkombëtare.
- Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe nënvizon rëndësinë e sigurimit të mardhënieve të fqinjësisë së mirë, që mbeten thelbësore. veprimet dhe deklaratat, që mund të kenë negativisht ndikim mbi fqinjësinë e mirë, duhen evituar. Këshilli gjithashtu lavdëron përputhshmërinë e plotë dhe të vazhdueshme të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.