Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “300 milionë euro në vit ekstra për bujqësinë vijnë nga hyrja në Bashkimin Evropian”. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal tek përfitimet financiare të procesit të anëtarësimit në BE.
“Në total do të jenë 1.2 miliardë euro ekstra çdo vit përtej buxhetit dhe përtej të gjitha të ardhurave të tjera nga institucionet e ndryshme financiare”, u shpreh Rama.
“Kjo është pesha gjeopolitike e këtyre zgjedhjeve. Pesha e brendshme e këtyre zgjedhjeve lidhet me ekonominë 2030, me punën dhe kur them puna kam parasysh të gjithë komponentët që nga punësimi tek prodhimi, eksportet, puna e mirëpaguar. Lidhet me shëndetësinë 2030 dhe do të na duhet të ndajmë me publikun hopin e ri cilësor që kemi tanimë programuar për shëndetësinë, me arsimin 2030 dhe drejtësinë e sigurinë 2030”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “për herë të parë qysh nga 1990 ose nga vitet ‘90 kur ata që nuk e dinë sesi e imagjinojnë që mund të rikthehen shkatërruan të gjitha bazat e industrisë ushtarake, ne po hedhim themelet e një industrie te re ushtarake të Shqipërisë dhe në 2030 ne do të jemi një forcë industriale mes të gjitha forcave të tjera të NATO-s natyrisht në përmasën tonë ushtarake”.