Pak pasi 4 anëtarë të AMA-s kërkuan shkarkimin e tij, ka reaguar edhe kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala. Kreu i AMA-s nuk ka kursyer as akuzat ndaj kolegëve duke u shprehur se asnjëri nga ata nuk ka kontestuar procesin.
Në reagimin e tij, Sala hedh poshtë pretendimet e kolegëve të tij, që procesi ishte antikushtetues, duke theksuar se procesi i digjitalizimit për Tiranën dhe Durrësin është bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012.
“Në cilësinë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, pasi u njoha dhe me qendrimin mediatik të disa kolegëve të bordit, po bëj deklaratën e mëposhtme:
Angazhimi në procesin e digjitalizimit për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ka qenë dhe është i bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, gjithashtu bazuar në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ka qenë e njëjta performancë nga AMA, si në tre rastet e kalimit nga analogu në numerik të zbatuara hap pas hapi, fillimisht në qarkun e Beratit, e duke vijuar më pas në atë të Korçës dhe të Fierit. Prej më shumë se një viti kur nisëm të angazhohemi me të tre qarqet dhe deri sa e finalizuam me sukses procesin në to, sigurisht që kemi hasur dhe vështirësi dhe të papritura, por gjithçka është tejkaluar. Vlen të përmendet se askush nga kolegët në Bord, përfshirë dhe ata të qëndrimit të sotëm mediatik, në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë kontestim mbi procedimin, për shpalljen e afatit për fikjen e sinjaleve analoge brenda territorit të qarkut, për renditjen e kanaleve në platforma etj”, shprehet ai.
Sala thekson faktin që AMA duhet të intensifikojë fushatën e informimit për qytetarët.
“Nisur nga zhvillimet e fundit, AMA angazhohet që të intensifikojë edhe më shumë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për ta bërë atë sa më kapilare në dobi dhe interes të publikut”, thotë Sala.
Kujtojmë që sot katër anëtarë të AMA-s kërkuan largimin nga detyra të kryetarit Gentian Sala duke cilësuar vendimin e e fikjes së sinjalit analog si veprim antikushtetues. Propozimi erdhi nga anëtari i AMA-s, Sami Neza dhe u firmos dhe nga tre anëtarë të tjerë: Suela Musta, Zylyftar Bregu dhe Agron Gjekmarkaj.
(J.D/Faxweb.al)