Në emisionin Ekopolitikë në Ora News ka qenë i ftuar sonte deputeti socialist, Anastas Angjeli.
Angjeli tregoi se ku ndryshon sipas tij kriza aktuale politike aktuale nga krizat e tjera që ka njohur vendi edhe më përpara.
“Kriza aktuale duhet të mendohesh mirë që ta quash krizë, se duhen plotësuar disa kushte. Kjo është një krizë që zhvillohet nëse mund ta themi, në superstrukturë, që zhvillohet lart, në drejtimin e forcave politike sesa një krizë që rrjedh nga një bazë e caktuar apo një nga situatë e rëndë ekonomike sociale. është një krizë me kahe të kundërt, nga lart poshtë dhe jo nga poshtë lart. Por që ka edhe një veçori tjetër. Një krizë me një synim. Zakonisht, lufta politike bëhet që palët të ndeshen për të rimarrë pushtetin. Por, pas 27 vitesh të synosh ta marrësh pushtetin në mënyrë jo demokratike, jo vetëm që nuk është e drejtë, normale, por është një shfrytëzim abuziv i situatës politike”,-u shpreh Angjeli.
Ish-ministri i Financave u shpreh se deri tani ekonomia shqiptare e nuk ka reflektuar krizën politike, por nëse ajo vijon të paktën deri në formimin e qeverisë së re, ndikimi i saj do të jetë i pashmangshëm.
“Kriza nuk është transmetuar te qytetari, është izoluar në çadër. Tezat e ngritura janë të bazuara te zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, gjë që nuk ka kundërshtim nga asnjë forcë politike. Por të kërkosh një gjë pa e provuar atë, është jo normale, pasi zakonisht pretendimet për zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë dmeokratike apo jo, bëhen pas zhvillimit të zgjedhjeve, kur vërtetohet fakti i zhvillimit të zgjedhjeve, kur populli, institucionet vendase dhe ndërkombëtarët japin opinionin për zhvillimin e zgjedhjeve. Nëse kriza politike vijon edhe në muajt e verës, deri në formimin e qeverisë së re, padyshim që kjo sjellje e opozitës do të ketë ndikimin e vet në ekonomi”,-tha Angjeli. (M.D/Shuplaka)