Ëndrra e Juventusit për të sjellë në Torino trajnerin spanjoll Pep Guardiola mund të venitet shumë shpejt. Skuadra e Manchester City është gati t’i rinovojë kontratën trajnerit Guardiola, duke ofruar shifra të frikshme.
Sipas të përditshmes britanike “The Sun”, skuadra kampione e Anglisë është gati t’i ofrojë një kontratë 5-vjeçare trajnerit, nga e cila ai do të përfitojë 20 milionë stërlina në sezon. Pra, në total, 100 milionë stërlina në 5 vitet e ardhshme (115 milionë euro).
Një shumë që do të mbyllte çdo shpresë të Juventusit apo çdo klubi tjetër për të marrë trajnerin 48-vjeçar, pasi askush nuk mund të rivalizojë “citizens” me këto shifra. Guardiola ka ende edhe dy vite kontratë me Manchester City, por kjo kontratë mund të shtyhet deri në 5 vite, natyrisht me rrogën e re.