Një grabitës i armatosur shqiptar, i cili ishte arratisur në Mbretërinë e Bashkuar , pasi një gjykatë italiane e kishte dënuar me më shumë se dhjetë vjet burg, po lufton kundër ekstradimit duke argumentuar se burgjet italiane janë të mbipopulluara.
Edmond Arra, 35 vjeç, është ndaluar në Angli për më shumë se një vit. Ai pretendon se ekstradimi do të shkelte të drejtat e tij sipas Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Gangsteri shqiptar kundërshton ekstradimin drejt burgjeve ‘të mbipopulluara’, për mbajtjen dhe përdorimin e një Beretta gjysmë-automatike të vjedhur dhe një thike me teh 25 cm; dëmtim prone; djegien e një makine të përdorur për grabitje; marrjen e një makine të vjedhur dhe grabitjen e një kompanie transporti.
Kjo, megjithëse burgjet në Mbretërinë e Bashkuar janë aq të mbushura sa vitin e kaluar qeveria liroi më shumë se 16,000 të burgosur para përfundimit të dënimit.
Përpjekja e parë ligjore e Arrës për të bllokuar ekstradimin u hodh poshtë në janar në gjykatën e Westminster-it, por atij iu lejua të apelojë në Gjykatën e Lartë. Ai do të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar deri sa të përfundojnë të gjitha mundësitë e apelimit.
Arra hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018 pasi ishte arratisur nga Italia, ku ende i kishin mbetur për të vuajtur 10 vjet e 5 muaj nga një dënim prej 11 vjetësh e 5 muajsh, i dhënë një vit më parë. Ai ishte arratisur ndërkohë që ishte në arrest shtëpie.
Ai ishte dënuar për 13 vepra penale të kryera në vitet 2012 dhe 2013. Këto përfshinin kërcënime për vrasje gjatë përpjekjes për të shantazhuar pronarin e një klubi në këmbim të “garantimit të rendit dhe sigurisë”.
Gjithashtu ishte dënuar për një grabitje të armatosur ku u vodhën çanta dore dhe 26,000 euro nga një restorant; posedim të një mitralozi dhe një arme gjysmë-automatike; posedim dhe përdorim të një Beretta të vjedhur dhe një thike 25 cm; dëmtim prone; djegie të një makine të përdorur për grabitje; marrje të një makine të vjedhur; dhe grabitje të një kompanie transporti.
Autoritetet gjyqësore italiane kërkuan ekstradimin e tij në qershor 2023 dhe në mars të vitit të kaluar policia britanike e arrestoi në shtëpinë e tij në Crystal Palace, në jug të Londrës.
Gjatë seancës dëgjimore për ekstradim në gjykatën e Westminster-it në janar, ai përdori një dëshmitar ekspert për sistemin e drejtësisë penale italiane për të argumentuar se burgjet italiane shkelin të drejtat e tij sipas KEDNJ.
Prokuroria angleze konfirmoi se Arra ka apeluar ndaj këtij vendimi dhe se një seancë tjetër do të mbahet në Gjykatën e Lartë.