Një anije hapësinore private amerikane hyri në orbitë përreth Hënës të mërkurën, një ditë përpara se të tentojë një sipërmarrje edhe më të vështirë – uljen në sipërfaqen e Hënës.
Një ulje e suksesshme do të rikthente praninë amerikane në Hënë për herë të parë që kur astronautët e NASA-s i dhanë fund programit Apollo në vitin 1972. Nëse del me sukses, kjo kompani do të bëhej entiteti i parë privat që do të realizonte një ulje të suksesshme në Hënë.
I nisur javën e kaluar, mjeti hapësinor i kompanisë “Intuitive Machines” kaloi në anën e errët të Hënës, ku nuk pati asnjë kontakt me Tokën. Kontrollorëve në selinë e kompanisë në Hjuston iu desh të prisnin derisa të shfaqej mjeti për të mësuar nëse ishte futur me sukses në orbitë.
Kompania “Intuitive Machines” konfirmoi se mjeti hapësinor, i quajtur Odysseus (Odisea) po lëvizte përreth Hënës ndërsa zhvilloheshin eksperimentet e porositura nga NASA dhe klientë të tjerë. Mjeti është pjesë e një programi të NASA-s për të filluar aktivitetet e para ekonomike në Hënë. NASA ka paguar 118 milionë dollarë për këto eksperimente hënore.
Të enjten, kontrollorët do ta ulin lartësinë e orbitës ku lëviz mjeti nga 92 kilometra në 10 kilometra, përpara se të tentojnë një ulje pranë polit jugor të Hënës. Është një zonë e rrezikshme për ulje për shkak të kraterëve dhe kodrave të shumta, por që konsiderohet me vlerë pasi në kraterët gjithnjë në hije mendohet se mund të ketë ujë të ngrirë.
Sipërfaqja e Hënës ka plot pjesë të mbetura nga uljet e dështuara në të kaluarën. Madje disa misione nuk arritën as deri në atë fazë. Një tjetër kompani private amerikane, “Astrobotic Technology”, u përpoq të dërgojë një anije hapësinore drejt Hënës muajin e kaluar, por nuk arriti t’i afrohet për shkak të një rrjedhje të karburantit. Anija e dëmtuar u rikthye drejt atmosferës së Tokës, duke u djegur mbi Paqësor./ VOA