Zinedine Zidane ka analizuar në një konferencë për shtyp ndeshjen kundër Betis, në të cilën skuadra e tij kërkon të kompletojë tri fitore radhazi. Ashtu siç pritej, emri i Bale dhe situata e uellsianit iu shtrua për sqarim përsëri e përsëri.
Ndeshja kundër Betis – “Të gjitha hyjnë në fushë për të luajtur bukur dhe duan të marrin diçka pozitive. Ne duhet të jemi të gatshëm dhe të përgatitur për një lojë të komplikuar. Duhet të bëjmë më të mirën. Çdo ndeshje është një histori ndryshe”.
Valverde – “Unë nuk mendoj se është si Pogba. Ai është një lojtar i ri, me shumë të ardhme. Nuk jam i habitur, është një lojtar i rëndësishëm”.
Bale – “Kjo temë është e vjetër. Bale është tashmë këtu, duhet të mësoheni pak nga pak me këtë realitet. Ne jemi me të dhe presim të kthehet me ekipin në fushë”.
Ankthi i Marcelo – “Unë nuk dija atë që deklaroi së fundi. Sidoqoftë, është normale të jesh nervoz para një finaleje të Ligës së Kampionëve. Që të jeni më të stresuar para kësi ndeshjesh me rëndësi të madhe është plotësisht normale. Unë, gjithashtu, e kam provuar makthin e këtij lloji si lojtar”.
Rodrygo dhe Vinícius – “Të gjithë lojtarët e dinë që mund të luajnë dhe duhet të jenë të përgatitur. Rodrygo po luan tani dhe Vinicius duhet të vazhdojë të punojë. Ata e dinë se i kam të gjithë lojtarët në planet e mia. Gjithçka varet nga forma e secilit”.
Këshilla për Rodrygo – “Po përpiqem ta bëj të ndihet i qetë, si gjithë të tjerët. Ai duhet të punojë, është 18 vjeç. Është i ri, por ka cilësi dhe personalitet”.
Shtyrja e “El Clasico” – “A ishte mirë që nuk u luajt tani klasikja? Unë nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur. Ne luajmë kur organizatorët e kampionatit të na thonë se duhet të luajmë. Ne e përgatisim ndeshjen me Leganés mjaft mirë, sepse patëm më shumë kohë në dispozicion. Klasikja do të luhet në dhjetor tashmë, emi kohë të mendojmë për të”.
Hazard – “Shohim se është më mirë. Ajo që i mungon është të mësojë dhe të shënojë rregullisht. Ne jemi të kënaqur me atë që bën në fushë. Është normale t’i jepet një kohë përshtatjeje në një vend dhe ligë të re. Kur të fillojë e të shënojë, do të jemi edhe më të lumtur”.
Bindje se Bale do të qëndrojë – “Ai është këtu. Unë nuk kam pse ta bind për asgjë, sepse është këtu. Gareth po stërvitet, nuk është ende në dispozicionin tim për të luajtur, por është këtu, te Real Madridi”.
Casemiro- “Ai po luan në një pozicion të vështirë. Sidoqoftë, është një punë që e bën shumë mirë. Ka pak lojtarë me karakteristikat e tij. Nuk e di nëse është në më të mirën e tij, nëse thotë kështu… Ne duam që të vazhdojë në këtë mënyrë”.
Vinicius vetëm nga e majta – “Ai është më mirë në atë pozicion, duhet të luajë atje ku është më rehat. Natyrisht, ka cilësi të luajë në të dy krahët, duhet të vazhdojë të punojë”.
Hazard i trembur – “Unë nuk mendoj se është i ndrojtur. Ai sheh gjëra, që shumë të tjerë nuk i shohin, kështu që ndonjëherë provon pasimin dhe jo gjuajtjen. Të gjithë duan ta shohin Hazard duke shënuar gola. Unë e shoh atë më mirë çdo ditë”.
Formacioni tip – “Ka lojtarë që janë më mirë ose më keq. Unë nuk kam një plan A, ose plan B. Të gjithë janë të barabartë para meje, dallimi bëhet në stërvitje dhe kur luajnë në ndeshje. Kam në dispozicion shumë lojtarë me cilësi, mbështetem te të gjithë. Mundohem të zgjedh më të mirët. Nuk më pëlqen të thuhet se kam një ekip A, ose një ekip B apo C. Kjo nuk është e vërtetë për mua dhe Real Madridin”.
Kthimi i Mbappé – “Nuk është për t’u habitur se çfarë arrin Mbappé, sepse është njëri prej lojtarëve më të mirë në botë. Këtë e tregon me statistikat e tij, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë për ne. PSG është një ekip i plotësuar në çdo aspekt. Ka shumë cilësi, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur të përballemi me të (në Champions). Po, tashmë PSG është një ekip i nivelit të lartë. Sidoqoftë, ne kemi lojëra të tjera përpara. Pikërisht këtu duhet të përqendrohemi”.