Pavarësisht shqetësimeve, qeveria e miratoi paketën përmes një akti normativ në një mbledhje qeverie jashtë radhe të premten më 31 Janar teksa lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama pas takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe më pas në një deklaratë përt mediat., ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Vendimet e miratuara sot sjellin ndryshime në ligjin Anti-Mafia, Ligjin e Policisë së Shtetit, Ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe Kodin Penal. Të gjitha këto ndryshime së bashku me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” , janë tashmë vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi Gjonaj (lexo lajmin).
Ndërkohë organizatat e shoqërisë civile thonë se Kushtetuta nuk lejon ndryshime me procedurë të përshpejtuar të ligjeve të rëndësisë së veçantë, si Kodi Penal, ndërsa ndërhyrja e paralajmëruar e policisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. 12 prej tyre kanë dalë kundër këtij vendimi të qeverisë. “Duke e konsideruar si paketë të një rëndësie të veçantë që mund të cenojë respektimin e të drejtave të shtetasve, organizatat e mësipërme bëjnë thirrje që diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithëpërfshirës dhe në respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” deklaruan organizatat (lexo lajmin).
Por a është konsultuar qeveria me ndërkombëtarët dhe partnerët?
Kryeministri Edi Rama zgjodhi të shpallë miratimin e kësaj pakete pas një takimi me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim, ndërsa ministrja Gjonaj sugjeroi se qeveria e ka konsultuar paketën me “shërbimet partnere”, pa shpjeguar se me kë konkretisht.
Ambasada e SHBA dhe ajo e BE-së në Tiranë thanë se nuk e kanë lexuar ende paketën ligjore të miratuar. Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane tha ”Nuk kemi pasur mundësi që ta studiojmë variantin më të fundit të legjislacionit “Anti-KÇK. Presim që të kuptojmë detajet”.
Ambasada theksoi gjithashtu se “vlerëson shprehjen nga kryeministri të vendosmërisë dhe vullnetit politik për të luftuar murtajën e krimit të organizuar”.
Po kështu, zyra e Delegacionit Europian në Tiranë tha se nuk ishte konsultuar.
“Delegacioni i BE-së nuk e ka parë Aktin Normativ të miratuar sot dhe nuk mund të komentojë në këtë pikë,” tha Delegacioni.
(F.GJ/FAXWEB.AL)