Institucioni i Komisionerëve Publik ka ankimuar vendimin për rikthimin në detyrë nga KPK të Anton Martinin, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, i cili ishte edhe kandidat për në SPAK.
Sipas Komisionerit Publik, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini.”, thuhet në njoftimin e IKP.
Reagimi i plotë: “Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Anton Martini, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/”
Në janar të 2020 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar përsëri seancën dëgjimore për prokurorin Anton Martini i cili u bazua në tre kriteret kryesore. Në KPK në datë 11 dhjetor është depozituar një denoncim i ri për subjektin.
Sipas denoncuesit subjekti që në atë kohë ka qënë drejtues i komanduar i rrjetit Gjyqësor Shkodër i ka hequr dosjet disa prokurorëve për t’ua kaluar disa të tjerëve. Për këtë arsye Komisioni kërkoi të zhvillojë edhe një herë hetime të thelluara për prokurorin Martini.
Para KPK-së, Martini tha se ka drejtuar prokurorinë e Shkodrës prej muajit nëntor 2017 deri në qershor 2018, dhe se është munduar të japë kontributin e tij.
“Gjatë kohës që kam drejtuar Prokurorinë e Shkodrës jam munduar të jap kontributin tim. Dosjet hidhen në short manual. Në asnjë rast nuk ka patur ankesa apo kundërshti për korrektesën time në punë. Përsa i përket çështjes që është bërë edhe denoncimi në KPK ndaj meje, zëvëndësimi është bërë me kërkesë të familjarëve të pandehurve. Zëvendësimi i prokurorëve edhe për arsyen e riorganizimit të punës në prokurorisë në Shkodër.”- është shprehur Martini.
Në seancën e radhës më 29 Janar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur konfirmimin në detyrë të prokurorit Anton Martinit, me shumicë votash.
(F.GJ/FAXWEB.AL)