Valë e re shkarkimesh në Bashkinë e Tiranës. Kryetarja në detyrë, Anuela Ristani, ka ndërmarrë hapa për të larguar një sërë zyrtarësh dhe punonjësish të afërt me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Mësohet se pas shkarkimit të Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit, janë larguar edhe drejtori i Protokollit dhe drejtoresha e Shërbimeve Mbështetëse, së bashku me një numër punonjësish të tjerë, përfshirë shoferë, sekretare dhe staf mbështetës, disa prej të cilëve kanë shërbyer në bashki për më shumë se një dekadë.
Lëvizjet e fundit në bashkinë e Tiranës vijnë në një kohë që kreu i bashkisë, Erion Veliaj ndodhet në burg.
Anuela Ristani, dy muaj më parë kur u shkarkua Sara Goxhaj dhe Alban Dokushi u shpreh se nuk ka asnjë krizë në Bashkinë e Tiranës.
“Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj. Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës”, u shpreh ajo në atë kohë.