Apeli i Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për Alket Hatian dhe ka vendosur arrest me burg.
I ashtuquajturi ‘baroni i drogës’ që u kap në Berat pak kohë më parë i fshehur në një bunker.
Prokurori ka kërkuar në seancë miratimin e arrestit të përkohshëm me afat 40 ditor me qëllim ekstradimin e të kërkuarit drejt Italisë, pasi rezulton të jetë dënuar në vitin 2015 me 20 vite burgim për trafik narkoëtikësh, mbi bazë të të cilit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Prokurorisë arresti i përkohshëm u kërkua për shkak se nuk disponojnë vendimin e formës së prerë të firmosur nga drejtësia italiane dhe nuk janë të bindur nëse bëhet fjalë për të njëjtat episode që Alket Hatija është dënuar nga gjykatat shqiptare, dënim të cilin e ka shlyer.
Për këtë arsye do ti kërkohej Italisë që brenda afatit ligjor të përcillte dosjen e te kërkuarit dhe nëse rezultonte se bëhej fjalë për të njëjtat çështje, atëherë do të urdhërohej lirimi i Hatiajt.
Alket Hatija është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane. Ai u arrestua në vitin 2008, bashkë me katër persona të tjerrë, pasi dyshohej si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali, duke përdorur Shqipërinë si vend transiti.
Në 2010, Hatija është dënuar nga gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite e tetë muaj burgim, vendim që është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
45-vjeçari Hatija me banim në Durrës u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, ku është dënuar me 20 vjet burgim. (B.H/Shuplaka)