Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar ankimimin e bërë nga gazetari RTV Ora Elton Qyno për heqjen e sekuestros ndaj pajisjeve të tij elektronike.
Disa javë më parë, Qyno u mor në SPAK ku u pyet për rreth 7 orë. Atij iu sekuestruan celularët dhe iu kërkua informacion mbi burimin e disa investigimeve të tij që kishin të bënin me dosjet që SPAK ka në dorë.
Qyno refuzoi ta japë informacionin e burimit dhe ankimoi në apelin e GJKKO vendimin për sekuestron ndaj celularëve.
Por ditën e sotme gjyqtarja e Apelit, Daniela Shirka vendosi të lërë në fuqi masën e marrë nga GJKKO më datë 13 dhjetor të vitit që lamë pas.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka, sot më 06.01.2024, ora 14:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 29.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.Q., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për lejim sekuestroje…”, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Ndalimin e publikimit të këtij vendimi në referim të nenit 103 të K.Pr.Penale.