Në komunën e Picassent (20.700 banorë), në jug të Valencias, “kilometri zero” i katastrofës, këshilli bashkiak urdhëroi me vonesë mbylljen e shkollave. Jashtë shkollës në San Cristóbal, mësuesja Carolina Higueras, 30 vjeç, mori një telefonatë nga tregtari i saj: kishte blerë një makinë dhe ai i tha ta merrte atë pasdite. Ajo mori makinën e saj të vjetër dhe shkoi në periferi të Valencias, bashkë me bashkëshortin.
“Ne nuk kishim as pesë minuta që ndodheshim atje kur na thanë se duhej të largoheshim menjëherë: po vinte shumë ujë.” Ata u larguan për t’u kthyer në Picassent, por rruga tashmë ishte shembur. Vazhduan të ecnin në rrugën dytësore, derisa nuk panë asnjë mundësi tjetër përveçse të ngjiteshin nga dritaret.
Së bashku shkuan drejt qendrës tregtare: ajo ishte rrafshuar. Ishte vetëm një godinë e hapur, ajo e kompanisë Onyx. Kati i parë ishte përmbytur dhe i njëmbëdhjeti, me një lloj dhome të madhe, ishte shndërruar në një zonë për të pritur personat e prekur nga tragjedia. “Na dhanë ushqim dhe pije. Ishim rreth 70 vetë. Gjëja më e keqe ishte era dhe ndjenja e pafuqisë. Në tre të mëngjesit, kur stuhia ishte qetësuar pak, ata vendosën të ktheheshin në këmbë, 12 kilometra në mes të natës. “Na u deshën tre orë për të arritur, rruga ishte plot me ujë dhe baltë. Gjithçka e shkatërruar”.
Esther Tronchoni, 65 vjeç, gjithashtu banore e Picassent, e kaloi natën zgjuar në shtëpinë e saj. “Ishte e pabesueshme. Nuk kisha pasur kurrë një përvojë të ngjashme. Binte shumë shi, frynte shumë erë dhe ishte shumë vapë. Binin gurë në madhësinë e vezëve. Nga brenda shtëpisë dëgjoje zhurmën, zhurmën, zhurmën, zhurmën”.
Ndërsa ajo priste në shtëpi në periferi të Picassent, burri i saj, José Luis Moya, mbeti i bllokuar në mes të rrugës, brenda automjetit të tij rreth 14 kilometra larg. Ai mbeti i palëvizur, me makinën plot me ujë. Ishte një prej të shumtëve.
Disa rrugë në Benetuser ishin të mbushura me makina të ngecura në baltë. “Në njëmbëdhjetë të mbrëmjes më telefonoi një djalë. Më tha se po telefononte për të më thënë që José Luis ishte mirë, se nuk kishte mundësi të lëvizte, por se ishte mirë. I kërkova të më thoshte të vërtetën, kisha frikë nga diçka më e keqe. Por ai këmbënguli se ishte mirë”, thotë Estera.
Në katër të mëngjesit mori një tjetër telefonatë. José Luis kishte arritur të kishte sinjal në celular: “Ishte ai që më shpjegoi se ai djalë kish qenë në ballkonin e shtëpisë së tij, me familjen e tij dhe se po ndihmonte të prekurit, duke telefonuar të gjitha familjet e atyre që kishin mbetur atje në mes të rrugës”.
Mbrëmë Esteri ishte ende duke pritur burrin në shtëpi. Pa energji elektrike. /El Pais – Bota.al/