Më shumë se 1.4 milionë myslimanë kanë filluar pelegrinazhin e Haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite, një vit pas vdekjes së rreth 1 mijë e 300 pelegrinëve, shumica për shkak të nxehtësisë ekstreme.
Autoritetet saudite kanë rritur masat e sigurisë për Haxhin 2025, duke mbjellë mijëra pemë dhe duke instaluar qindra njësi ftohëse për të përballuar temperaturat që pritet të arrijnë deri në 44°C.
Kufizime të rrepta për pelegrinët pa leje zyrtare
Fëmijët nën 12 vjeç nuk lejohen të marrin pjesë dhe ata që përpiqen të kryejnë Haxhin pa leje zyrtare përballen me gjobë prej 5 mijë dollarë dhe ndalim hyrjeje për 10 vjet.
Deri të dielën, mbi 269 mijë persona janë ndaluar të hyjnë në Mekë pa autorizim.
Sipas zyrtarëve, rreth 80% e viktimave të vitit të kaluar ishin pelegrinë të paregjistruar që nuk kishin qasje në akomodim me ajër të kondicionuar, transport dhe shërbime të tjera, në një periudhë kur temperaturat shkuan deri në 51°C.
Kostoja e lartë e paketave zyrtare për Haxh
Shumë myslimanë nuk e përballojnë çmimin e paketave zyrtare të Haxhit, të cilat kushtojnë nga 4 mijë deri në 20 mijë dollarë, në varësi të vendit të origjinës dhe kohëzgjatjes së qëndrimit, dhe përdorin viza turistike për të hyrë në vend.
Ritet e Haxhit dhe udhëtimi drejt Arafatit
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zhvillohet në muajin e 12-të të kalendarit hënor islam. Çdo mysliman i rritur duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë nëse ka mundësi financiare dhe fizike.
Ditën e parë, burrat veshin dy copa të bardha (ihram), ndërsa gratë vishen me rroba modeste dhe mbulojnë kokën (jo fytyrën).
Pelegrinët bëjnë qarkullimin rreth Qabes (tawaf) dhe ecin mes kodrave Safa dhe Marwa (sai).
Më pas udhëtojnë drejt Mina-s për të kaluar natën në qytetin e tendave, përpara se të shkojnë në malin Arafat.
Teknologjia dhe investimet për siguri dhe ftohje
Ministria saudite e Shëndetësisë ka publikuar udhëzime për të shmangur ekspozimin ndaj diellit midis orës 10:00 dhe 16:00, përdorimin e çadrave dhe pirjen e ujit në mënyrë të rregullt.
Janë zgjeruar zonat me hije me 50 mijë m² dhe janë instaluar mbi 400 njësi ftohëse.
Xhamia e Madhe në Mekë ka sistemin më të madh të ajrit të kondicionuar në botë.
Rrugë të reja me sipërfaqe të ftohur dhe të mbuluara me gome janë ndërtuar për të ulur temperaturat, ndërsa inteligjenca artificiale dhe dronët do të përdoren për menaxhimin e turmave.
Kujtesë nga tragjedia e vitit 2015
Në vitin 2015, mbi 2 mijë e 300 pelegrinë humbën jetën në një shtypje masive në Mina, duke nxjerrë në pah nevojën për masa më të rrepta sigurie.