Me mbërritjen e Arben Ahmetajt si drejtues politik i PS-së në Vlorë duket se po lëvizin edhe drejtorët e institucioneve më të rëndësishme.
I pari që është detyruar të japë dorëheqjen është kreu i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, i cili kishte vetëm disa muaj që ishte në krye të institucionit.
Kur u duk se drejtimi i këtij institucioni kishte gjetur qetësi, burime bëjnë me dije se Troci është thërritur në një mbledhje në Tiranë, ku i është kërkuar që të japë dorëheqjen.
Në vendin e tij në krye të Kadastrës është emëruar pikërisht i besuari i Arben Ahmetajt, Reinard Meta, i cili më herët ka punuar në Kadastrën e Tiranës. Ahmetaj zëvendëson Gjiknurin në krye të drejtimit politik në Vlorë.
Pikërisht sot, në ditën e parë të drejtorit të ri, në Kadastrën e Vlorës ka mbërritur edhe SPAK, që pritet të kërkojë informacion mbi disa prona në jug të vendit.
Kadastra e Vlorës është një prej institucioneve më të paqëndrueshme sa i takon drejtuesve, ku brenda një viti janë ndryshuar 10 drejtor, ndërkohë që pronat në jug duket se janë dhe ”patatja” e nxehtë që kërkon të marrë një zgjidhje afatgjatë.
(E.K/Faxweb.al)