Arben Duka, editorialisti në vargje i gazetës “Dita”, deklaron se komunizmi në Shqipëri u rrëzua vetë dhe nuk mund të mburret askush që e rrëzoi.
I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Duka thotë se çorapja komuniste u shthur në rusi dhe më pas vijoi efektin domino në të gjithë Europën.
“Çorapja komuniste u shthur në Rusi dhe vijoi domino në të gjithë Evropën. U rrëzua edhe te ne. Më kot mburren trimat sot por edhe të persekutuarit politikë që e rrëzuan ata sistemin komunist. Ai u rrëzua vetë ”.
Për Dukën fakti që në krye të lëvizjes të dhjetorit 1990 ishin komunistët tregon se ai sistem u rrëzua vetë.
Autor i 1 milionë vargjeve, autor i 50 vëllimeve poetike, autor i 3 mijë tekste këngësh mes tyre autor i 50 teksteve të festivaleve në RTSH në të cilat 7 janë vlerësuar me çmime të para, Arben Duka, është një nga krijuesit më prodhimtarë në Shqipëri.
Për të të gjithë politikanët janë bërë pjesë e vjershave të tij plot satirë dhe humor. Por për Dukën Sali Berisha veçohet.
“Sali Berisha mbetet kombinat humori për një krjues për mënyrën se si bën politikë”, tha ai.
Për Lulzim Bashën thotë se është pa taban. Ndërkohë Duka deklaroi se Edi Rama është Kryeministri më i mirë që Shqipëria ka patur pas vitit 1990.
“Reformat që Rama ka marrë duke menduar edhe kostot e bëjnë atë superior mes të gjithëve”, tha Duka.
Por për Dukën edhe Rama të jep mundësinë të bësh humor.
“Unë e lavdëroj, ai deklaron se në katër vitet që kaluan ka qeverisur keq. Hajde merre vesh”!
Por Duka nuk la pa treguar se si u zbulua dhe shpërtheu talenti i tij si autor teksteve.
Që ai të spikatej dhe të bëhej i famshëm me tekste që edhe sot mbahen mend si “Më dhe dritë nga syri yt”, “Lot me ty o djalë se ta di merakun”, “Çel si gonxhe dashuria”, “Dashuria nuk njeh sekret”.
Duka kaloi një provë jo të lehtë kur u zbulua talenti. Për gazetarin Qafoku, Duka tregoi se ishte në vitin e katërt të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë kur pasi iku pa leje nga mësimi shkoi direkt në zyrën e Zhuljana Jorganxhi në Radio Tirana.
I dha një tekst për ta lexuar dhe përgjigjia e saj ishte se teksti ishte i mirë por duhet ta shikonte kompozitori Agim Krajka.
I bindur se Jorganxhi e kishte përcjellë për të mos u kthyer më, Duka vazhdoi rrugën dhe shkoi plot guxim në studion e Krajkës.
“Përse te mua të solli ajo”, ishte përgjigja e mjeshtrit. Edhe ai i bindur se adoleshenti me uniformë ushtarake do dështonte, Krajka i luajti me nota muzikën e një kënge që sapo e kishte kompozuar dhe i tha Dukës që mbi bazën e saj duhet të bënte një tekst.
Duka u largua me mendjen tek notat që kishte krijuar Krajka. Për 20 minuta e krijoi tekstin dhe u kthye sërish në studion e mjeshtrit Krajka duke ia dorëzuar.
Titulli ishte “Ore ore lule borë”. Krajka e pëlqeu shumë. Ra dakord dhe kënga e kënduar nga Irma Libohobva në Festivalin e vitit 1974 u bë jo vetëm starti i karrierës së tij por edhe një nga këngët e bukura të kohës.
(E.K/SHUPLAKA)

Discussion about this post