Arben Skënderi, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka reaguar lidhur me zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi, i cili përveç votave të PS-së, PDIU-së dhe PSD-së, mori edhe dy vota nga PD-ja.
Skënderi ngre dyshime se vota mund të jetë mapnipuluar nga PS-ja, ose mund te jetë shitur nga deputetët e PD-së.
Duke iu referuar Bashës, Skënderi bën thirrje që “drejtori” duhet të sqarojë demokratët për atë që ndodhi një ditë më parë në Parlament.
“Me aktin e mbrëmshëm në Parlament, përfudimisht, opozita dhe kauza e djathtë, por bashkë me to dhe gjysma e shqiptarëve, është marrë peng nga e njëjta dorë, është shitur ose grabitur…!
Ose votat janë vjedhur apo manipuluar në zemër të intitucionit më të rëndësishëm të vendit dhe në këtë rast nuk e kuptoj se si nuk është bërë ende nami në këtë vend, ose deputetë të PD-së e kanë shitur apo bërë dhuratë votën e tyre pa lejen e “drejtorit”…!
Në të dyja rastet Drejtori i PD-së duhet t’ja sqarojë demokratëve sa më parë gjithë këtë nëse i duhen akoma ata, qoftë dhe për dekor si mbrëmë para parlamentit…!”, reagon Skënderi.
Kujtojmë se një ditë më parë, Gramoz Ruçi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me 80 vota pro. Nga rezultati i votimit, del se Ruçi ka siguruar edhe dy vota nga opozita.
Anastas Angjeli, kryetari i komisionit të votimit tha se morën pjesë 121 deputetë, ndërsa 19 deputetët e LSI , nuk morën pjesë. Sipas Angjelit, fletë të vlefshme ishin 120, dhe 1 e pavlefshme.
Ruçi ka marrë 74 votat e PS, 3 nga PDIU dhe 1 të Tom Doshit që shkojnë në 78 vota, plus edhe dy vota qe janë nga opozita. (D.D/Shuplaka)