I gjendur buzë detit Jon, nën shpatet e maleve Vetëtimë-Pritëse, Dhërmiu është një ndër perlat e rralla të rivierës shqiptare, e cila është kthyer në destinacionin kryesor të turistëve.
Por atë që nuk e gërryejnë dot dallgët e detit, lakmia e njeriut priret ta bëjë në mënyrën më të shëmtuar duke vjedhur tokën e virgjër mesdhetare.
“Nuk kam nga të kaloj, më ka zënë rrugën. Në fillim më tha do depozitoj inertet përkohësisht sa të mbaroj hapjen e gropës për ndërtimin, por nuk i ka lëvizur dhe tashmë rrezikohet shtëpia nga gurët që ka lënë pas pronës kompania “Queen Vasilika”,- deklaron Natasha Qirko, për “Arbitrazh”.
E dëshpëruar dhe e braktisur nga Bashkia Himarë, nën frikën se do të humbas pronën me falsifikimet e radhës, Natasha Qirko iu drejtua për ndihmë emisionit “Arbitrazh”.
Nga kërkimet e “Arbitrazh” janë zbuluar pikëpyetje të shumta lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit, të cilave zyrtarët e lartë të Bashkisë Himarë nuk u kanë dhënë përgjigje para mikrofonit të gazetarëve të “Arbitrazh”.
Historia me problemin e rrugës dhe rrethimi i frikshëm me inerte të hedhura jashtë çdo standardi, fillon në shtator të vitit të kaluar 2022, kur kompania “Queen Vasilika” shpk prishi një nga ish-godinat e “Kampit të Vjetër të Punëtorëve” në Dhërmi. Pronari i kompanisë, Ilir Brokaj nisi gërmimet për ndërtimin, duke hedhur inertet në zonën pyll, mbrapa pronës së Natasha Qirkos, duke vënë në rrezik pronat dhe shëndetin e banorëve që jetojnë aty pranë.
Në një diskutim me Z. Brokaj, ky i fundit i premtoi Znj.Qirko që inertet do t’i lëvizte brenda pak kohësh. Megjithatë kur zonja kthehet, pas 6 muajsh tashmë inertet jo vetëm që nuk ishin hequr nga zona, por ishin shtuar edhe më shumë.
Ajo shokohet kur shikon se para portës së saj ishte vendosur një shkallë e ngushtë metalike 4 metra, pasi Z.Ilir kishte prishur rrugën që çonte te prona e saj dhe kishte gërmuar tokën përpara në thellësi të frikshme.
Sipas konstatimeve nga banorët, para dy muajsh, shoqëria “Queen Vasilika shpk” ka prishur në mënyrë të përsëritur rrugën kryesore si dhe ate dytësore që lidhte pronat kufitare (përfshirë atë të zonjës Natasha) me rrugën kryesore. Rruga kryesore është aksi që lidh Dhërmiun fshat me pjesën e djathtë të Dhërmiut Plazh, konkretisht rruga që shkon te “Vila Qeveritare e Dhërmiut”.
Znj. Qirko e ka fituar pronën me trashëgimi nëpërmjet nënës së saj, ish-punonjëse e kooperativës bujqësore dhe familjes bujqësore, si dhe banore e Dhërmiut në vitin 1991.
Shoqëria “Queen Vasilika shpk” është krijuar në vitin 2019 dhe ka si veprimtari menaxhimin e hotelit “Queen Vasilika”.
Ortake e vetme e shoqërisë është I. B.(e bija e Ilir Brokaj), me kapital mbi 18.000.000 lek te reja.
Por si i ka kryer gjithë këto veprime kompania “Queen Vasilika”?
Në 14 tetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi leje zhvillimi për kompaninë “Queen Vasilika”.
Por vendimi i firmosur nga kryetari i KKT-së, kryeministri Edi Rama, së bashku me ish-ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, çuditërisht më pas i është deleguar kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro për lejen e ndërtimit. Mesa duket, delegimit të vendimeve që bëhen nga kryeministri Rama, nuk i ka shpëtuar as kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro për parregullsi.
Fakt është që prona para zonjës Qirko nuk është as pronë e shtetasit Ilir Brokaj dhe as e “Queen Vasilika” shpk.
Për këtë tokë, “Queen Vasilika” është paditur nga dy familje kufitare që kanë kërkuar njëkohësisht pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit, të dhënë nga Bashkia Himarë në Qershor 2022. Kjo pasi zona kadastrale prej shumë vitesh është zonë e pa menaxhuar nga kadastra dhe e tillë ka qenë edhe në 2014-ën kur Ilir Brokaj pretendon se është bërë pronar.
Bashkia Himarë ka realizuar një plan studimi pjesor provizor dhe mbi dokumentacion të munguar duke shkelur hapur ligjin dhe procedurën, vetëm me qëllim që ky subjekt të merrte lejen e zhvillimit pranë KKT-së sipas banorëve të zonës.
Zonja Natasha i është drejtuar me ankesë policisë Himarë, Bashkisë Himarë, Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Himarë, por nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet, madje para mikrofonit mohojnë marrjen e këtyre ankesave. Por zonja Natasha para Bashkise ka bere edhe ankese për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm, pasi inertet e hedhura pas pronës së saj kanë dëmtuar tubacionet ,dhe këtë shkresë punonjësi i Bashkisë i ka pohuar se ia ka transmetuar Ujësjellësit Himarë. Pra, nuk kanë dijeni apo nuk dëshirojnë të kenë dijeni?
Në date 30 maj, Zonja Natasha bëri në vijim kallëzim në Prokurorinë e Vlorës për “Queen Vasilika” shpk, për veprat “Shkatërrim i rrugëve”, “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Ndotja e ajrit e ujërave dhe e tokës” dhe “Shpërdorimi i tokës”.
Zonja është ankuar personalisht pranë kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro i cili fillimisht për “Arbitrazh” ka pohuar se nuk ishte në dijeni të ndonjë leje ndërtimi për këtë subjekt.
Megjithatë kërkesës zyrtare për informim që Zonja Natasha ka paraqitur nëse “Queen Vasilika shpk” ka leje ndërtimi, cili institucion e ka dhënë lejen dhe cila është harta treguese e pronës mbi të cilën është dhënë leja e ndërtimit si dhe njolla e ndërtimit, Bashkia ka refuzuar të përgjigjet duke nxjerrë pengesa dhe justifikime, që nuk gjejnë asnjë bazë ligjore.
Ndërsa IKMT i është përgjigjur duke ia transferuar kërkesën për informacion po Bashkisë Himarë.
“Arbitrazh” ishte në Bashkinë Himarë për të kontaktuar personat përgjegjës, por askush nuk i jep informacion.
I pyetur për rastin e zonjës Qirko, Drejtor i Urbanistikës, Gentian Stratobërdha sqaroi se çështja kishte specifika të veçanta.
Gentian Stratobërdha, Drejtor i Urbanistikës pranë Bashkisë Himarë u shpreh “kti që po kryen punimet ka leje ndërtimi. Është leje ndërtimi që është miratuar nga këshilli kombëtar i rregullimit Subjetë territorit i është dhënë leje zhvillimi, ndërsa i është deleguar Bashkisë Himarë për ti dhënë lejen e ndërtimit. Nuk e di se kur i është dhënë leja e ndërtimit, por ka një periudhë të gjatë që i është dhënë leja e ndërtimit. Për sa i përket rrugës së zonjës, nuk kam informacion për të ditur se ka qenë apo jo shekullore. Në qoftë se subjekti që po kryen punimet ka shkelje të lejes ndërtimit është problem tjetër, pasi është inspektoriati që mundet të ndërhyjë, për të konstatuar si janë këto punime dhe në kuadër të kujt kryhen. Te urbanistika mundet të shkojmë kur subjekti kërkon për të kryer akt piketimin, akt kontrollin,karabina etj.”
“Arbitrazh” u mundua te kontaktonte Drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Himarë, por ai u largua nga institucioni në momentin që erdhën gazetarët e “Arbitrazh”.
I kontaktuar në linjë telefonike nga “Arbitrazh”, kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro ishte i paarritshëm dhe në momentin që gazetarët kanë qenë në godinë, ai nuk ishte i pranishëm. Pyetjes se qytetares se kur mund ta takonte, i janë përgjigjur se nuk ka një ditë të caktuar për takim me qytetaret.
Për cilën sipërfaqe i është dhënë leja e ndërtimit subjektit Queen Vasilika? A i ka verifikuar Bashkia titujt e pronësisë te subjektit Queen Vasilika shpk prane ASHK para pajisjes me leje ndertimi? A ka shkelur kushtet Jorgo Goro në dhënien e lejes së ndërtimit, apo “Queen Vasilika shpk” ka abuzuar haptazi me sipërfaqen dhe volumin e ndërtuar?
Si ka mundësi është dhënë leje ndërtimi dhe janë bërë studime urbanistike pjesore në një zonë me tituj pronësie ende në studim nga ASHK dhe të pa menaxhuara?
A ka leje ndërtimi subjekti “Queen Vasilika shpk” për ngastrën e pronës para pronës së Zonjës Natasha, ku ka kryer gërmime dhe ka zhdukur rrugën e kalimit?
A ekzistoka ndonjë leje ndërtimi që lejon prishjen e rrugëve publike dhe servitutet shekullore?
A ekzistoka ndonjë leje ndërtimi që lejon të ndërtosh çfarëdo vepre private nën rrugën publike, sikundër ka bere ky subjekt?
A lejohet dhënia e lejes së ndërtimit pa parkim nën tokë dhe pa asnjë metër distancë nga rruga publike?
A ka marrë masa Bashkia kur ka marrë ankesa apo informacion për veprime të kundraligjshme të subjektit “Queen Vasilika shpk”, për prishje të rrugës publike, për bllokim te qarkullimit, për prerje të pemëve, për depozitim te pakontrolluar te inerteve, për dëmtim të florës dhe faunës dhe vënie në rrezik të pronave dhe banorëve përreth?
A duhet Prokuroria të marrë masa të paktën për pezullimin e punimeve derisa te verifikohen te gjitha këto fakte dhe shkelje?
A duhet të hetohet për veprime të shpërdorimit të detyrës për punonjësit e IMT dhe eprorët e tyre, deri të vetë kryetari Jorgo Goro?
A duhet të hetojë SPAK këto favorizime te kryetarit te Bashkise Himarë Jorgo Goro për “Queen Vasilika shpk” dhe shkelje te ligjit kundrejt perfitimeve potenciale personale korruptive?
A lidhen këto sjellje abuzive dhe injoruese kundrejt qytetareve te thjeshte te pambrojtur, me reagimin e tyre dhe rezultatet ne zgjedhjet lokale?