Një 15-vjeçar, nxënës i një shkolle nëntëvjeçare në rrethin e Gramshit, ka mbetur viktimë e një konflikti mes disa të rinjve, të cilët pas debateve mes tyre në rrjetet sociale e kanë lenë të sqaroheshin në një takim mes tyre. Fatkeqësisht, jo gjithçka ka shkuar, sikurse adoleshentët e kishin lënë të sqaroheshin, teksa kanë vënë në përdorim edhe mjetet mprehëse të cilat i kishin marrë me vete, duke vajtur të parapërgatitur për një konflikt që do precipitonte.
15-vjeçari Fatjon Bici u përpoq të ndalonte konfliktin fizik mes kushëririt të tij me bashkëmoshatarët, por pa ja arritur ta kryente një gjë të tillë, pasi një nga të rinjtë që është përfshirë në konflikt ka qëlluar me thikë për vdekje atë, ndërsa ka plagosur edhe kushëririn e Fajtonit.
Sipas burimeve të informacionit mësohet se konflikti ka ndodhur jashtë rrethimit të shkollës “Asllan Shahini” në Gramsh, ndërsa viktima pasi kishte mbaruar mësimin ishte nisur për të shkuar te shtëpia e tij. Të njëjtat burime shprehen se Fatjoni sapo mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi.
Gjatë rrugëtimit të tij, 15-vjeçari është ndeshur me pritën që i kishin bërë disa të rinjtë kushëririt tij, të cilët ishin në konflikt më parë në rrjetet sociale. Katër adoleshentë nga fshati Drizë pasi kishin marrë thikat me vete, kanë takuar kushëririn e Fatjonit, ku pas bisedës me ofendime kishin nisur edhe të qëlloheshin mes njëri-tjetrit. Në ato momente Fatjon Bici, ka ndërhyrë për të shuar konfliktin, por pabesisht ai është qëlluar me thikë dhe bashkë me të edhe kushëriri i tij. Ndërsa dy adoleshentet kanë mbetur të plagosur, qytetarët të cilët kanë parë skenën tragjike, kanë marrë dy nxënësit e shkollës “Asllan Shahini” për ti dërguar në spitalin e Gramshit për tu dhënë ndihmën mjekësore.
Fatkeqësisht 15-vjeçari i cili ndërhyri për të shuar sherrin ndërroi jetë pak minuta pasi ka mbërritur në spital. Ndërsa kushëriri i tij është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe falë mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Katër agresorët që u zunë pritë bashkëmoshatarëve të tyre u larguan nga vendi i ngjarjes, por vetëm pak orë ka zgjatur liria e tyre.
Katër adoleshentët e arrestuar për ngjarjen kanë dalë para togave të zeza duke u njohur edhe me akuzën dhe duke marrë edhe masën e dënimit arrest me burg, ku edhe do vijojnë hetimet e mëtejshme. Në dëshminë e tyre ne polici dhe më pas në gjykatë para psikologëve dhe prindërve të tyre, 3 adoleshentët kanë thënë se ata nuk e dinin që shoku i tyre kishte thikë dhe doreza me vete.
Ata kanë treguar se pas konflikteve të rrjetet sociale ata kanë udhëtuar nga fshati Drizë, drejt shkollës në Gramsh dhe i kanë pritur dy kushërinjtë derisa kanë mbaruar mësimin, për tu zënë pritë pak metra larg shkollës, pa e ditur se ngjarja do të merrte përmasa tragjike dhe do sillte edhe humbjen e jetës së një bashkëmoshatari të tyre.
Ndërsa në bankën ku Fatjoni studionte, akoma janë lulet për në nderim të tij. Dhimbja duket se është e madhe jo vetëm për prindërit, por edhe për shokët dhe shoqet e klasës dhe mësuesit e shkollës “Asllan Shahi”.
Para pak ditësh në Tiranë, po me mjetet prerëse (thikë) Axel Hoxhaj, vrau 20-vjeçarin Stivens Toshkëzi. Pas vrasjes Axel Hoxhaj është vetëdorëzuar në polici duke shprehur edhe versionin e tij mbi ngjarjen. Ai ka treguar se “konfliktet mes tij dhe viktimës kanë qenë të vazhdueshme, dhe ka pretenduar se 4 muaj para krimit, 20-vjeçari e kishte dhunuar pas një konflikti mes tyre. Sipas tij viktima e akuzonte se i kishte shqetësuar të dashurën, gjë të cilën e ka mohuar duke thënë se “komunikimin dhe takimet me vajzën ishin të pashmangshme për arsye se ishin në të njëjtën klasë”.
Axel Hoxhaj është shprehur gjithashtu se kishin biseduar me 20-vjeçarin dhe për t’u takuar dhe sqaruar lidhur me konfliktet e mëparshme, ndërsa natën e krimit ata ishin takuar rastësisht.
Ndërkohë që vetëm një javë më parë në Gramsh u qëllua me thikë Fatjon Bici, nga bashkëmoshatarët e tij, duke gjetur vdekjen. Krimi ky që ka tronditur jo vetëm Gramshin por të gjithë opinionin shqiptar, duke treguar se jeta e çdo njërit prej nesh, pavarësisht nga mosha është gjëja më pa vlerë ku mundet ta marrë kushdo.