Ish-drejtori i Hipotekës në Durrës, Ardian Iljazaj, ka fituar sërish në post të rëndësishëm në bashkinë e Durrësit, ku është emëruar Drejtor pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Emri i tij nuk është i panjohur për publikun, pasi më tetor të vitit 2019 u shkarkua publikisht nga kryeministri Edi Rama, ku ky i fundit nuk nguroi që ta quajë ‘halabak’.
Iljazaj ishte denoncuar nga një qytetar nëpërmjet platformës “Shqipëria që duam” dhe shkarkimi iu komunikua nga Rama në një mënyrë të pazakontë. “Drejtori i Hipotekës së Durrësit, një halabak. Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë. U kërkoj të gjithë atyre që kanë hall, e që duan të zgjidhin hallin e tyre të na ndihmojnë edhe ne të trajtojmë hallin tonë të madh me njerëz të padenjë që nuk na mungojnë, si ishte edhe rasti i djeshëm i denoncuar nga Fiks fare, një drejtori që meriton vetëm një përcaktim, një halabak. Për të cilin është marrë masa e shkarkimit”- tha Rama në atë kohë.
Pas shkarkimit ‘live’ nga kryeministri, Ardian Iljazaj u vu në pranga nga policia për tjetërsim pronash, ndërkohë që vetëm një muaj më vonë, gjykata dha për të masën “detyrim paraqitje”.
Por siç duke që nga ajo kohë, duket se Iljazaj, ‘ka përmirësuar sjelljen e tij duke u bërë i denjë’, pasi drejtori që dikur u quajt ‘halabak’ ka fituar postin e rëndësishëm në Bashkinë Durrës.
“Kërkesë për publikimin e fituesit të konkurimit për pozicionin Drejtor pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike nga jashtë Shërbimit Civil Bazuar në ligjin nr.152 /2013 “Për nëpunësin civil”, neni 20, 22, 25, VKM nr.242 datë 18.03.2015, “Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, i ndryshuar, si dhe në Urdhërin nr.205 datë 29.06.2020 “Për shpalljen e pozicioneve të paplotësuara për konkurim ”, kërkojmë publikimin e fituesit të konkurimit të datës 07.08.2020 në kategorinë e mesme drejtuese për pozicionin: Drejtor pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Kandidati fitues për këtë pozicion është Z.Ardian Iljazaj.”- thuhet në njoftim.
(M.Q/Faxweb.al)