Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pas diskutimeve në mbledhjen e radhës për përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si gjyqtar në Gjykatën e Lartë ndërkohë mësohet se relatore e çështjes ishte Marcela Shehu. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbarimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, me 6 vota pro dhe 3 kundër.
Me këtë vendim, automatikisht, Dvorani largohet edhe nga drejtimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Lidhur me këtë çështje kanë folur trupa e KLGJ duke argumentuar qëndrimet që duhen mbajturë për qëndrimin apo jo të Dvoranit në detyrë pas përfundimit të mandatit. Marcela gjatë seancës tha se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate cënon dhe vë në rrezik parimet e kushtetutës.
Alban Toro, anëtari tjetër i KLGJ-së u shpreh se këshilli duhet të shprehet, të konstatojë mbarimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë. Edhe Brikena Ukperaj është shprehur se nuk gjendet asnjë dispozitë që parashikon se Dvorani do të zëvendësohet nga anëtari i parë, i dytë apo i tretë dhe se detyrimi i Dvoranit për të ndërprerë detyrën është kur vjen anëtari i 4-t, i cili duhet të jetë përzgjedhur radhët e juristëve të spikatur.
Nga ana e saj, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi u shpreh se, që në datën 13 mars, në momentin që është betuar gjyqtari i parë përpara Presidentit, zotit Dvoranit i ka mbaruar jo detyrimi, por e drejta dhe mundësia që ai të qëndrojë në detyrë, dhe ai nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë.
Ditën e djeshme Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas refuzimit të një opinioni zyrtar nga EURALIUS dhe OPDAT në lidhje me mandatin e Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë, pas më shumë se një muaji ngërç, më në fund e fut në pikat e rendit të ditës në mbledhjen e së enjtes.
Pika e fundit e rendit të ditës: “Vijimi i shqyrtimit të çështjes në lidhje me problematikën e adresuar nga Presidenti i Republikës me Shkresën nr.1117/2 prot., datë 10.04.2020, lidhur me qëndrimin e mëtejshëm në detyrë të z.Ardian Dvorani si anëtar i Gjykatës së Lartë.” pritet të ketë një përgjigje nga vetë KLGJ, e cila është e detyruar të zgjidh situatën, pas refuzimit të ndërkombëtarëve, të cilët kanë qenë të qartë që kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm nga KLGJ.
Kujtojmë se pas më shumë se 1 muaji nga shkresa që KLGJ u nisi OPDAT dhe Euralius ku kërkonte mendim për përfundimin e mandatit të kreut të KED-së, Ardian Dvorani, 2 institucionet kanë kthyer përgjigje ku i kërkonin KLGJ-së zgjidhjen e çështjes.
“Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale. Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një cështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit.
Ditën e enjte pritet të zhvillohet mbledhja e KLGJ dhe pritet me interes të shihet nëse do të përfshihet në pikat e rendit të ditës diskutimi për mandatin e Ardian Dvoranit.”- theksohej në përgjigje.
Discussion about this post