U zhvillua dje nata e parë gjysmëfinale e edicionit të 21 të festivalit “Kënga Magjike” nën prezantimin e Ardit Gjebreas dhe Adrola Dushit, që transmetohet në Tv Klan.
Por, dy moderatorët e festivalit janë surprizuar që në fillim nga Joeli. Ai ka sfiduar Ardit Gjebrean që të largohet dhe prezantimin e Këngës Magjike ta bëjë vetë.
Ardit Gjebrea: Mirë se keni ardhur në këtë sallë plot dritë. Kjo është nata e parë gjysmëfinale e edicionit 21 të festivalit Kënga Magjike.
Sigla hyrëse
Ardit Gjebrea: Kjo sigla nuk duhet të ishte këtu në këtë moment, se ne dolëm. Nuk e kuptova..
Joeli: Mirëmbrëma, zonja dhe zotërinj mirë se keni ardhur. Kjo është nata e parë gjysmëfinale e edicionit 21 në festivalin Kënga Magjike.
Ardit Gjebrea: Joel, çfarë do këtu ti, ka mbaruar Power Kidz.
Joeli: E di Ardit, ka mbaruar, po kështu janë këto punë, nuk ke çfarë t’i bësh. Mbaron një epokë, fillon një epokë tjetër. Mbaroi epoka Gjebrea, filloi epoka Joel Dafa.
Ardit Gjebrea: S’po të kuptoj Joel se ku do të dalësh.
Joeli: Jo, jo, do të dalësh ti dhe do të rri unë. Hajde tani se e kupton ti, por s’e pranon dot. Unë jam këtu të të zëvendësoj ty. Këtë edicion do të jem unë moderatori i Këngës Magjike. 21 vjet o burrë, s’i nuk u lodhe. Unë do të jem Arditi i së ardhmes. Të lutem Ardit, mbylli pak sytë dhe më imagjino mua. Dy metra çun, shik, jo po me muskuj, jo po xhep plot…Po e kam një fiksim, të dal e të hap edicionin e 52-të të Këngës Magjike, dhe ti nga shtëpia me shkop do të më shikosh mua.
Ardit Gjebrea: Më fal Joel, a nuk është pak si shpejt për ty?
Joeli: Jo Ardit, është shumë vonë për ty. Ike, kaq ishte. Natën xhaxhi!
Ardit Gjebrea: Joel, ti pretendon që unë të të lë ty Adrolën dhe të iki?
Joeli: Absolutisht jo! Kam Adrolën time unë.
Adrola Dushi: Si Adrolën tënde?
Joeli: Shtyhuni pak. Si jeni ju pleqtë. Zonja dhe zotërinj, përpara jush, Adrola!
Siera: Mirëmbrëma të gjithëve. Sot do të kemi një mbrëmje vërtetë të veçantë.
Ardit Gjebrea: Joel, duhet të shpjegoni sistemin e votimit.
Joeli: Akoma këtu ju të dy?
Ardit Gjebrea: Pse, çfarë duhet të bëjmë?
Siera: Uluni në publik. Do jeni rehat.
Ardit Gjebrea: Unë mendoj që ju duhet të na lini ne skenën tani se ju nuk e dini se si do të vazhdojmë tani.
Joeli: 21 vjet dhe ti mendon se nuk e dimë? Është kënga fituese e një viti më parë.
Ardit Gjebrea: Ja që nuk e gjetët. Para këngës fituese do të shpjegojmë votimin e këtij viti.
Joeli: Mos! Këtu nuk dua të marr pjesë. Këto votime…ufaaa…
Siera: Sistemin e votimit pak më vonë. Por kam dëshirë ta prezantoj unë fillimin e kësaj mbrëmje.