Argjentina dështon sërish! Skuadra e yjeve nuk shkoi dot më shumë sesa një barazim 1-1 me Venezuelën në shtëpi, duke bërë që të rrezikojë edhe vendin e pestë në grup që të çon në “playoff”.
Skuadra e Sampaolit nuk shkëlqeu dhe as individualitetet si Messi, Di Maria, Dybala apo Icardi nuk dhanë atë që pritej. Gjithsesi, shtypi argjentinas shënjestroi yllin e Barcelonës pas kësaj ndeshjeje.
“Lojtari më i mirë në botë nuk mund të jetë thjesht një numër në fushë”, shkruan “Ole”.
“Messi nuk mund të luajë në një nivel kaq të ulët. Mungesa e lojtarëve të tjerë që flasin gjuhën e tij futbollistike në fushë nuk i heq përgjegjësitë. Leo luajti një pjesë të parë të pranueshme. E nisi shumë mirë dhe menduam se do të shpërthente, por nuk shpërtheu”, vazhdon “Ole”.
Pak ditë më parë Argjentina barazoi pa gola me Uruguain dhe kjo ka rritur mjaft irritimin e tifozëve.
(E.K/SHUPLAKA)