Pas zgjedhjeve të vitit 2016 , Amerika u njoh me konceptin e votuesit ‘të fshehur’.
Sondazhet nënvlerësuan në mënyrë dramatike mbështetjen publike për Donald Trump, por më pas ai tronditi botën duke u bërë Presidenti i 45-të i SHBA-ve.
Anketuesit kishin gabuar duke anashkaluar dhjetëra mijëra amerikanë që po hidhnin votat e tyre për Trump. Dhe tani, gati një dekadë më vonë, ka prova se votuesi i ‘fshehur’ i Trump është kthyer.
Një votues ‘i fshehur’ është dikush që nuk ka votuar në zgjedhjet e fundit presidenciale ose afatmesme ose ndoshta asnjëherë. Dhe, sipas planit, anketuesit politikë kërkojnë vetëm ata njerëz që kanë më shumë gjasa të votojnë.
Këta ‘votues të fshehur’ gjithashtu mund t’u shmangen aktivisht anketuesve. Disa mund të jenë të shqetësuar për vjedhjen e identitetit ose janë të kujdesshëm për të mos ngecur në ndonjë listë.
Sigurisht, këta qytetarë ekzistojnë dhe në numër të madh. Pra, çfarë ndodh kur ‘votuesi i fshehur’ më në fund vendos t’i bashkohet betejës politike dhe të hedhë votën?
Sondazhet në prag të zgjedhjeve të 2016-ës treguan se Trump ishte pas Clinton-it me diferenca të konsiderueshme në shumicën e shteteve kyçe. Trump fitoi më pas pothuajse të gjitha fushat e betejës – duke fituar në Pensilvani, Miçigan, Wisconsin, Ohio dhe Florida.