Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Karen Donfried thotë se armatimet që Shtete e Bashkuara dhe shumë vende të tjera po i ofrojnë në vijimësi Ukrainës synojnë që t’i sigurojnë asaj, një pozitë sa më të mirë për të mbrojtur veten dhe territorin e saj Sovran nga agresioni i Rusisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zonjë Donfried, ndërsa flet për shtrirjen e pasojave të luftës dhe në Ballkan, shprehet se se SHBA dhe Bashkimi europian nuk po përpiqen t’ë imponojnë një zgjidhje për situatën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por për t’i ndihmuar këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë dhe të vështira.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, çfarë ka mësuar bota ndërkohë që po i afrohemi përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës?
Karen Donfried: Është e dhimbshme të mendosh se jemi, më pak se një muaj larg një vjetorit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe do të theksoja tre mësime të nxjerra.
Së pari, ne kemi mësuar shumë për Ukrainën dhe mendoj se të gjithë jemi frymëzuar nga guximi dhe qëndresa e ukrainasve, teksa ata i rezistojnë këtij pushtimi të paprovokuar dhe brutal nga Rusia. Ata na kanë frymëzuar të gjithëve.
Së dyti, kemi mësuar më shumë për Rusinë dhe i kemi parë lojërat e Rusisë më parë në Gjeorgji, në Ukrainë në vitin 2014. Por të shohësh se çfarë po i bën Rusia fqinjit të saj, jo vetëm në fushën e betejës, por me këto bombardime kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, infrastrukturës energjetike duke u përpjekur të zhysë një vend prej 44 milionë banorësh në errësirë dhe dimër të ftohtë dhe të hidhur, është thjesht një tmerr i papërshkrueshëm.
Dhe gjëja e tretë që kemi mësuar është për veten dhe për unitetin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërsa përballemi me këtë sfidë. Dhe mendoj se kjo është gjithashtu dallimi i kësaj reje shumë të errët që ne amerikanët, shqiptarët, anëtarët e tjerë të NATO-s, BE-ja, Japonia, Koreja e Jugut, dhe vende të tjera me radhë, janë ngritur dhe kanë thënë, kjo është gabim. Dhe ne do të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit brutal të Rusisë.
Zëri i Amerikës: A e ktheu ky pushtim botën në epokën e Luftës së Ftohtë?
Karen Donfried: Kjo nuk është Lufta e Ftohtë. Nuk është një konkurrencë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Presidenti Biden ka qenë i qartë për këtë dhe gjithashtu kur është shprehur se kjo nuk është një garë apo luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Mendoj se duhet të jemi shumë të qartë për atë që ndodhi në Ukrainë.
Më 24 shkurt, Putini mori një vendim për të nisur një pushtim në shkallë të gjerë të fqinjit të tij më të dobët sovran dhe u përpoq të pushtonte të gjithë vendin. Për shkak të trimërisë së ukrainasve dhe përdorimit shumë efektiv të armëve, prej tyre, që shumë prej nesh iu siguruam, ata ishin në gjendje t’i bënin ballë atij agresioni rus, ta sprapsnin Rusinë dhe ne kemi parë që luftimet tani përqendrohen në juglindje të vendit.
Por në të vërtetë, kjo luftë ka të bëjë me mbrojtjen e ekzistencës nga Ukraina dhe ne të tjerët që mbështesim Ukrainën në këtë kauzë dhe mbrojmë vlerat tek të cilat besojmë, vlerat që mishërohen në Kartën e OKB-së për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Një njeri e filloi këtë luftë dhe ai njeri, Vladimir Putini, mund të vendosë t’i japë fund nesër. Por le të kujtojmë, nëse Rusia pushon së luftuari, lufta përfundon. Dhe kjo është diçka që shefi im, Sekretari Blinken e thotë shpesh. Nëse Ukraina pushon së luftuari, Ukraina përfundon së ekzistuari./VOA