Pas kontrolleve blic që janë ushtruar në shtëpitë e gjyqtarëve të çështjes Dajti, mësohet se në shtëpinë e njërit prej tyre Skënder Damini janë gjetur para, (rreth 20 mije euro), armë dhe municione.
Bëhet fjalë për banesën e tij që ndodhet në zonën e Freskut në Tiranë, ndërsa operacioni është shtrirë në disa qytete të vendit. Gjyqtari Damini është shoqëruar në policisë vendore të Tiranës, së bashku me avokatin e tij Arjan Ndoji.
Gjyqtari tashmë do të japë versionin e tij në Policinë e Tiranës, ndërsa avokati Arjan Ndoj në një prononcim të shkurtër për gazetarët e vendosur jashtë shtëpisë, tha se nuk ka asnjë masë sigurie ndaj gjyqtarit.
Kontrollet kanë nisur në orën 7:00 të ditës së sotme në shtëpitë e 3 gjyqtarëve, Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli të cilët dyshohen për korrupsion.
Në shtëpinë e gjyqtarit Aleks Nikolli në lagjen Besëlidhja në Lezhë burime për Fax News bëjnë me dije se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, njësoj si dhe në rastin Aliaj.
(E.K/FAXWEB.AL)