Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic ka deklaruar se ish Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski ka hyrë në Shqipëri, dhe më pas në Malin e Zi, pastaj nëpërmjet Serbisë dhe vendkalimit kufitar Horgosh, është futur në Hungari.
“Gruevski, me 11 nëntor është nisur nga Maqedonia me kartë identiteti maqedonase dhe i shoqëruar nga dy shtetas hungarezë, ka hyrë në territorin e Shqipërisë, pastaj në Mal të Zi ku duket se ka fjetur një natë. Pastaj më 12 nëntor pak para 22:30 është shfaqur në vendkalimin kufitar Gostum për të hyrë në Serbi, e për të dalë pastaj kah Horgoshi në Hungari”, ka deklaruar Vucic në televizionin Happy TV në Beograd.
Sipas presidentit serb arrestimi i tij ka qenë i pa mundur pasi që urdhërarresti nga interpoli i Shkupit është lëshuar me vonesë.
“Më 13 nëntor, në ora 19:35 Interpoli nga Shkupi na jep një urdhër arresti ndërkombëtar. Çfarë prisni? Të arrestojmë njerëz për të cilët nuk është lëshuar as një flet arrest i thjeshtë”, ka pyetur Vuçiç.
(B.H/Faxweb)