Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Ardian Çipa së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, në konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Illegal assets”.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar pasuri me vlerë 5 milionë të shtetasve Gentian dhe Mustafa Sharri, të cilat janë vila, biznese dhe sipërfaqe toke në disa zona të ndryshme të Elbasanit.
Gentian Sharra është arrestuar në akuzën e grabitjeve me dhunë, ndërkohë që emri i tij doli në skenë pas dëshmisë së dhënë për SPAK nga Nuredin Dumani. Gjatë fjalës së tij, Çipa paralajmëroi se aksionet e policisë në Elbasan do të vijojnë edhe ditët në vijim, ku priten të arrestohen të tjerë shtetas të implikuar në botën e krimit.
“Policia ka dhënë provat që është e vendosur për të ndeshkuar krimin. Operacionet e policisë do të vijojnë për të hetuar, arrestuar dhe identifikuar çdo anëtar të grupeve kriminale. Kontrollet e djeshme të befasishme janë shoqëruar disa shtetas dhe kjo punë do të jetë intensive edhe ditët në vijim deri sa personat në kërkim të arrestohen dhe të vendosen përballë drejtësisë. Hetimet janë intensive dhe janë në rrugën e duhur”, tha Çipa.