Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas rastit në Kavajë ku u arrestuan tre specialistë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor Tiranë për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”
Rama tregon se vetëm një ditë më parë një zonjë e prekur nga aktiviteti i jashtëligjshëm i tre personave, i ka dërguar një mesazh dhe menjëherë policia ka reaguar pas denoncimit të tij.
“I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin.”, tregon Rama për përvojën e zonjës.
REAGIMI I PLOTË I RAMËS
“I MADH E I VOGËL TË NGREMË KRYE NDAJ KËTIJ SOJI
Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta “hetues tatimorë”, të cilët me aktin dhe paraqitjen e tyre të sjellin stomakun në fyt! Këta janë Armiku Publik Nr.1 i popullit shqiptar sot dhe i madh e i vogël, duhet të ngremë krye kudo dhe kurdo na dalin përpara…
I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t’ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin.
Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër.
Po punojmë papushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe Platformën online të Bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike.” (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post