Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të 3 personave të dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt në Britaninë e Madhe. Policia thotë se po punohet intensivisht me partnerët e huaj për lokalizimin e 3 personave të tjerë që janë ende në kërkim, përfshirë dhe ekzekutorin portugez Ruben Saraiva.
Në prangat e policisë britanike kanë rënë shtetasit: Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan. Ata priten që të ekstradohen drejt vendit tonë, duke qenë se mes vendeve tona është në fuqi marrëveshja e ekstradimit.
Vrasja e Ardian Nikulajt pritet që të merren në dorë nga SPAK, për shkak se grupi ka funksionuar në mënyrë të organizuar.
Dyshohet se atentati ndaj biznesmenit lezhjan ka ndodhur për motive hakmarrje dhe është porositur pikërisht nga Haxhia, i cili është vënë në pranga në Britani.
Njoftimi i policisë:
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.