Deputeti i Partisë Demokratike në Fier, Enkelejd Alibeaj ka sulmuar Kryeministrin Rama pas arrestimit të efektivit të forcave RENEA mbrëmjen e djeshme.
Alibeaj e akuzon Ramën se me aleancën e tij me krimin ka bërë që të degradojë Policia e shtetit, duke shtuar se në forcat RENEA janë infiltruar trafikantë.
Më tej Alibeaj shton se me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin.
Postimi i plotë i Enkelejd Alibeaj: RENEA, reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët. 2 efektivë dhe 1 NënKomisar të këtij reparti janë arrestuar në pak kohë për organizim dhe trafik kokaine. Raportohet se 4 të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro.
Kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.
Përgjimet e antimafias italiane dëshmojnë për implikim masiv të kupolës së Policisë së Shtetit në trafikun e kanabisit. Tashmë, shumica e shqiptarëve e di që teksa vendi kthehej në Kolumbinë e Europës me urdhër politik për të financuar shkatërrimin e zgjedhjeve, forcat e policisë përdoreshin si roje të parcelave me hashash dhe si punëtorë krahu për të ngarkuar skafet me lëndë narkotike.
Me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin.
Për shkak të këtij pushteti ilegjitim që ka kriminalizuar politikën, institucionet dhe policinë, qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen e familjeve të tyre, të pasigurt për rendin dhe sigurinë.
Qytetarët nuk mund të ruhen edhe nga Krimi, edhe nga Policia që paguajnë nga taksat e tyre.
Një ditë më parë efektivi i forcave RENEA, Real Luli u arrestua gjatë një operacioni anti-drogë të SHÇBA-së. Së bashku me të u arrestuan dhe dy persona të tjerë, ndërkohë dy të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.