Gazeta e Partisë Demokratike, Rilindja Demokratike është përgjigjur pas lajmit që qarkulloi në media se RD është distancuar nga arrestimi I kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj, i akuzuar për ‘tjetërsim pronash’.
Ka qenë vetë kryeredaktori i kësaj gazete Bledi Kasmi i cili përmes një postimi në Facebook, i është përgjigjur televizinit ‘Klan’ që duke iu referuar një shkrimi të RD-së për Frrokajn, aludonte se gazeta ishte distancuar nga arrestimi i tij, madje duke e thumbur për “darkën e gabuar me Ramën”.
Kasmi ka shpërndarë shkrimin e gazetës ‘Rilindja Demokratike’ në lidhje me arrestimin e Frrokajt dhe shtron pyetjen: Ku është distancimi këtu?
Postimi i Kasmit:
Per “Klanin”
Sipas ketij televizioni, RD qenka distancuar nga arrestimi i Kryebashkiakut te Lezhes, Fran Frrokaj sepse ne shkrimim e publikuar ne RD del qarte se pas urdherit per arrestimin e Frrokajt qendron Rama dhe hetuesi Xhafa qe e paralajmeroi arrestimin disa dite me pare, kur foli ne emer te Prokurorise.
Dhe arsyeja tjeter pse RD qenka distancuar nga Frroku eshte se kemi kujtuar darken mes Frrokajt dhe Rames dhe si gjithmone pas takimeve te tilla, Rama pergatit thiken pas shpine ndaj kundershtarit.
Ku eshte distancimi ketu???
Shkrimi i RD-së pas arrestimit të Frrokajt:
Çfarë ndodhi mes Kryebashkiakut të Lezhës, Frrokaj dhe Ramës në Lezhë? Frrokaj dhe Rama darkuan sëbashku. Pasi Frrokajn e thumbuan miqtë për këtë darkë, ai u përgjigj se ishte Kryeministër dhe duhet ta respektonte.
Një nga miqtë e tij shkoi edhe më larg duke e paralajmëruar se pas kësaj darke “ka për ta hëngër” se Rama është i pabesë, gjë të cilën Frrokaj nuk e besoi. Darka mes Frrokajt dhe Ramës erdhi vetëm një ditë pas protestës së banorëve para godinës ku Rama kishte zgjedhur të zhvillonte mbledhjen e qeverisë në Lezhë.
”Pasi kryeministri Edi Rama e ngacmoi lidhur me protestën e djeshme të banorëve të Torovicës, kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj iu referua darkës me Ramën, duke hequr paralele me “Darkën e Gabuar”, librin e shkrimtarit Ismail Kadare.
Frrokaj tha se në darkën me Ramën, pavarësisht ndasive politike, i ka kërkuar financime për Lezhën. “Mbrëmë ishim në darkë.
Po i referohem librit të një autori, “Darka e gabuar”, nuk ishte darka e gabuar, isha në kohën e duhur, në vendin e duhur, është kryeministri i vendit tim, pavarësisht pozicioneve politik. Unë do vij në Tiranë në datën 27, bashkë me partinë time”, tha Frrokaj, duke iu referua protestës së opozitës.
Ndërsa Rama iu përgjigj me batutë: “Eja, por vetëm ujësjellësin lere në punë”.
Batutat e Ramës me Frrokajn:
Edi Rama: Do sqarosh këtu sa gisht ke te ajo protesta e djeshme me 15 veta…
Fran Frrokaj: Mbrëmë ishim në darkë. Po i referohem librit të një autori, “Darka e gabuar”, nuk ishte darka e gabuar, isha në kohën e duhur, në vendin e duhur, është kryeministri i vendit tim, pavarësisht pozicioneve politik. Unë do vij në Tiranë në datën 27, bashkë me partinë time.
Rama: Ik, por vetëm ujësjellësin lerë në punë.
Fran Frrokaj: Lezha ka nevojë për shumë investime dhe do ta falënderoj nëse do të bëhen realitet, pasi investimet i shërbejnë turizmit dhe popullsisë së zonave.
Fran Frrokaj: Dje kisha forcën ta ndaloja atë protestë, por nuk kisha asnjë arsye ta ndaloja atë protestë, pasi nga biseda edhe ju u bindët se ata kishin të drejtë.
Rama: Nëse do protestonin në 8 vjet kur ishte partia jote në pushtet, do shkoja t’i përqafoja. Unë vetëm ujë piva, kështu që isha esëll kur i thashë të gjitha ato, do mbahen dhe do bëhen…
Duket se ky dialog mes Frrokajt dhe Ramës është mbyllur me arrestimin e një dite më parë, në të vërtetë dialogu do të vijojë. Asgjë nuk ka mbaruar ende.
Shkrimi i Tv Klan:
RD distancohet nga Frrokaj?
Një ditë pasi Partia Demokratike tha se shpresonte që Fran Frrokaj të dilte i pafajshëm, organi i saj zyrtar, Rilindja Demokratike e thumbon kryebashkiakun e Lezhës për marrëdheniet që ka mbajtur me Kryeministrin Rama.
Si për t’u distancuar prej tij, gazeta e partisë më të madhe në opozitë, i kujton Frrokajt një darkë mes tij dhe Kryeministrit në Janar kur qeveria u mblodh në Lezhë.
Rilindja Demokratike citon një mik anonim të Frrokajt, që sipas saj e kishte paralajmëruar atë duke thënë se pas darkës me Kryeministrin “ka për ta hëngër”, pasi Rama ishte i pabesë, gjë të cilën Frrokaj nuk e kishte besuar.
Duke pyetur se çfarë ndodhi në darkën e Lezhës, gazeta shkruan se Frrokajn e thumbuan edhe miq të tjerë për darkën, për të cilën ai ishte shprehur se s’kishte bërë asgjë të gabuar, pasi kishte takuar Kryeministrin e vendit të tij, pavarësisht pozicioneve politike.
Por ky takim dhe qëndrimet e shprehura edhe publikisht nga Rama dhe Frrokaj për bashkëpunim për të shtuar financimet në Lezhë siç duket nuk janë mirëpritur nga Partia Demokratike, gazeta zyrtare e së cilës gjeti rastin t’ia përmendë ato teksa ai ndodhet i arrestuar dhe në të njëjtën dite kur mbështetësit të Frrokajt akuzojnë deputetët demokratë të Lezhës se i kanë lënë vetëm.