Kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati, pjesë e koalicionit qeverisës, e ka cilësuar si “diplomaci kafeneje” qëndrimin e mbajtur nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ndaj çështjes së arrestimit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj.
Duke i referuar deklaratës së kret të diplomacisë shqiptare se “Serbia është i llastuari i perëndimit”, ish-diplomati shqiptar shprehet se përmes një pohimi të tillë ministri Bushati tregoi se është një ministër i paaftë.
“Si mund të ‘llastojë’ perëndimi Serbinë në një kohë që thuajse të gjitha shtetet perëndimore europiane kanë njohur pavarësinë dhe Republikën e Kosovës?!”, pyet Zef Bushati në postimin e tij.
Postimi i plotë i Zef Bushatit:
Diplomaci “kafeneje” e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Në një prononcim në Neës24 deklaron se: “ … Serbia është i llastuari i perëndimit …” Ky deklarim bëhet nga Ministri gjatë një komenti rreth arrestimit të Ramush Haradinajt. Pra, simbas Ditmirit, perëndimi favorizon “llaston” Serbinë dhe penalizon Shqipërinë dhe Kosovën.
Nuk është e perkedhelur Serbia, por është i paaftë Ditmir mavrija. BE dhe Europa perëndimore kanë qenë të angazhuar seriozisht dhe konkretisht në mbështetje të proceseve të vështira të tranzicionit në Shqipëri dhe ndërtimit e konsolidimit të Republikës së Kosovës në veçanti. Nuk kanë munguar ndihmat dhe kontributet e Perëndimit Europian për kombin shqiptar. Serbia ende nuk i harron bombardimet në konfliktin e armatosur mes saj dhe UÇK-së për pavarësinë e Kosovës, ku edhe komandant Ramush Haradinaj ka një kontribut të çmuar. Si mund të “llastoje” perëndimi Serbinë në një kohë që thuajse të gjitha shtetet perëndimore europiane kanë njohur pavarësinë dhe Republikën e Kosovës?!
Diplomacia nuk bëhet me gjuhën e kafeneve dhe nën tingujt e muzikës në disco. Tek paaftësia në diplomacinë tonë duhet ta kërkojmë defektin, e jo tek perëndimi ku bën pjesë dhe Franca, Gjermania, Italia, Austria, Anglia, etj. Gjuha e diplomacisë është e një niveli të lartë dhe e mirë-argumentuar. Ajo shprehet në zyrat e kancelarive diplomatike dhe jo nëpër restorante e hotele. (A.R/SHUPLAKA)