Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me hetimet e prokurorit të Sarandës Sali Hasa, i cili u arrestua nën akuzën e korrupsionit.
Burime bëjnë me dije për gazetarin e Fax News Elvis Myrta, se Hasa ka dalë në përgjime në një skemë të njëjtë me atë të gjyqtares Enkeleda Hoxha, pjesë e të njëjtit hetim për trafik droge të nisur që prej vitit 2020.
Çështja për gjyqtaren është veçuar nga dosja për trafikun e drogës, ndërsa SPAK vijoi hetimet ku prokurori i Sarandës Sali Hasa, dhe Oficeri i policisë gjyqësore u arrestuan me urdhër të SPAK, pikërisht në sajë të kësaj dosje.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme ka urdhëruar ndalimin e publikimit te çdo detaji për hetimet e kësaj çështjeje, pasi mund të dekonspirohet dosja për hetimin e trafikut të drogës.
Vendimi i gjyqtares Etleva Dedja vjen pasi hetimet janë ende vijim, ku ka dyshime se personazhe te tjere të drejtësisë mund të jenë të përfshirë në korripsion.
Prokurori i Sarandës Sali Hasa, është arrestuar me urdhër të SPAK, për shkak se ka rezultuar në përgjimet për një grup të trafikut të drogës, se ka marrë para kundrejt pushimit të çështjes për një të arrestuar.
Hasa dyshohet se ka marrë rryshfet për pushimin e akuzës për ”plagosje të lehtë me dashje” ndaj Emiljano Miranit, përmes motrës së këtij të fundit Elsona Papa.
Prokurori Hasa është një nga anëtarët e akuzës që ende nuk është futur në procesin e Vetingut, dhe jo më larg se në muajin Mars ai do të hiqte dorë nga rritja në detyrë, përmes një shkrese që i kishte nisur KLP-së.
Hasa sqaronte se ai hiqte dorë nga gara për pozicionin e kreut të prokurorisë së Sarandës, me pretendimin se kishte probleme shëndetësore .
“Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Sali Hasa, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë.
Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Sali Hasa ka depozituar kërkesën dt. 10.05.2021, drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën i ka kërkuar Këshillit, heqjen dorë nga kandidimit për arsye shëndetësore”, thuhej në njoftimin zyrtar, të shpërndarë nga KLP rreth një muaj më parë.
Më herët ka qenë një investigim i kryer nga Fax News, që tregonte se Hasa lëvizte me një mjet luksoz, me vlerë jo më pak se 45 mijë euro.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, targat e automjetit Audi Q5 me të cilin lëvizte prokurori Hasa, i përkisnin një automjeti Volksëagen prodhim i vitit 1984. (Lexo lajmin)
Tashmë Hasa do të përballet me akuzën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
(E.K/Faxweb.al)