Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, policia ka arrestuar kunatin e vëllezërve indianë, të cilët akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë, aktualisht janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri. (LEXO KËTU)
59-vjeçari Hitesh Patel është kapur në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi.
Por rezulton se Patel, është kunati i dy vëllezërve indianë, Nitin dhe Chetan Sandesara të akuzuar nga autoritetet e vendit të tyre për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve.
Këta të fundit kanë hapur biznese në Shqipëri, ndërsa thuhet se po ndërtojnë edhe në jug të vendit tonë.
Përmes kompanisë “Sterling”, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”.
Autoritetet indiane dyshonin se vëllezerit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Por Nitin Sandesara rezulton të jetë dhe konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri me zyrën e konsullatës së nderit në Abuja.
Kjo e faktuar nga lista e konsujve të nderit të republikës së Shqipërisë në botë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)