Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të dy deputetëve të saj, Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit. Sipas VV-së, arrestimi i deputetëve është i padrejtë, ndërsa theksoi se organet e drejtësisë janë kapur nga Klanit “Pronto”.
Deputetët u prangosën nga Policia e Kosovës mbrëmjen e së hënës pasi kanë shkelur urdhrin e gjykatës e cila kishte vendosur masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
VV kë thënë se qeveria e Haradinaht është dorëzuar ndaj klanit “Pronto”
“Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë që është vijmësi e shtetit të kapur”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Reagimi i plotë:
ARRESTIMI I ALBIN KURTIT DHE DONIKA KADAJ-BUJUPIT – DORËZIM I QEVERISË HARADINAJ NDAJ KLANIT PRONTO
Policia e Kosovës ka burgosur prapë sot deputetin Albin Kurti dhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi.
Ky arrestim u bë përkundër faktit që urdhër-arresti i lëshuar nga gjyqtari Beqir Kalludra ishte i kundërligjshëm dhe përbënte vepër penale; meqë deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kishin bërë paraprakisht kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues tek kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Znj. Afërdita Bytyqi.
Ndonëse kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues është dorëzuar më 22.11.2017; gjykatësi Beqir Kalludra lëshoi fletëarrestin për deputetët tanë, një ditë më vonë më 23 nëntor, pa pritur asnjë përgjigje nga kryetarja e Gjykatës Themelore sipas Kodit të Procedurës Penale,
Arrestimi i deputetëve është i padrejtë dhe manifestim i qartë i persekutimit politik që po i bëhet Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes organeve të rendit dhe drejtësisë, të cilat janë të kapura nga protagonistët e Klanit “Pronto”.
Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë që është vijmësi e shtetit të kapur.
Vendosmëria jonë për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se çdo persekutim që mund t’iu bëhet deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Rezistenca jonë kundër padrejtësive dhe rreziqeve që vijnë përmes projekteve si Demarkacioni dhe “Zajednica” nuk mund të shtypen. Nga askush dhe asnjëherë.
Hiq më larg se dje, populli e vërtetoi vullnetin e tij për çlirimin e shtetit nga garnitura e Klanit “Pronto”. Populli e ka ndalur Demarkacionin dhe “Zajednicën”. Këtë vullnet popullor nuk mund ta ndalë makineria e pushtetit të Klanit “Pronto”. (B.H/Faxweb)