Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Monitorimi”, duke goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat, janë arrestuar katër persona dhe janë sekuestruar 30 kilogramë cannabis sativa, një armë zjarri, automjete dhe pajisje të tjera të përdorura në aktivitetin kriminal.
Policia e Shtetit
Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike.
Operacioni, i kryer mbi bazën e inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH.
Sekuestrohen 3 thasë me lëndë narkotike cannabis sativa (gjithsej 30 kilogramë), 1 armë zjarri, 3 automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas (2 shtetasit që transportonin me automjet, lëndën narkotike, një shtetas që monitoronte rrugën ku do kalonte automjeti me lëndë narkotike dhe një shtetas tjetër që kishte në automjet një armë zjarri kallashnikov për ta shitur bashkë me lëndën narkotike).
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të operacionit policor të koduar “Monitorimi”, në aksin rrugor “Bënçë-Tepelenë”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë cannabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Veprimet procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
#angazhimpërkushtimsakrificë👮️🚔
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit🇦🇱
#nëshërbimtëqytetarëve👮️