Autoritetet policore të Policisë Kufitare të Vlorës, kanë arrestuar një 32-vjeçar shqiptar nga Kosova, i cili tentoi të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara.
Sipas policisë, i arrestuari është 32-vjeçari me inicialet F.D., i cili ishte shpallur në kërkim nga Kosova, për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Kapet një shtetas kosovar në kërkim për pjesëmarrje në grupe terroriste.
32 vjeçari tenton të kalojë kufirin shqiptar me dokument të falsifikuar por vihet në pranga.
Arrestohet shtetasi F.D., 32 vjeç, banues në Kosovë.
Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë kapjen e këtij shtetasi pasi nga verifikimet e bëra në zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana rezultoi se shtetasi F.D, është shpallur në kërkim nga autoritet policore Kosovare.
Gjykata Themelore e Prishtinës, Kosovë, ka lëshuar urdhrin e kërkimit më datë 26.01.2018 kundrejt shtetasit F.D, për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës në Portin e Vlorës pasi ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë duke përdorur pasaportë të falsifikuar maqedonase të lëshuar në 2018.
(B.B/ Faxweb.al)